Gjetjet arkeologjike në Dresnik të Klinës, zbulimi më i veçantë që është bërë për disa dekada

15.08.2013

Gërmimet arkeologjike të nisura në fshatin Dresnik të Komunës së Klinës në vitin 2012 dhe të vazhduar edhe këtë vit, kanë zbuluar një godinë të gjerë që mendohet se daton shumë shekuj më parë, me saktë i takojnë periudhës romake. Ky zbulim konsiderohet si nga më të rëndësishmit që ka ndodhur për disa dekada në Kosovë në fushën e arkeologjisë.

Këto gërmime arkeologjike janë mbështetur që nga fillimi nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe janë bërë nga Institutit Arkeologjik i Kosovës e bartës i projektit ka qenë arkeologu Masar Valla.
Ministri Memli Krasniqi, ka realizuar sot një vizitë në këtë hapësirë, për të parë nga afër gjithë punën që është bërë në gërmime, por edhe për të shprehur mbështetjen e plotë që puna të vazhdojë deri në gërmimin e gjithë hapësirës së monumentit që vlerësohet të jetë rreth 300 metra katrorë dhe hapësirës përcjellëse rreth tij

Ministri Krasniqi tha se zbulimet dhe puna që është bërë në këto gërmime janë mbresëlënëse.

“Nga informatat që kam marrë nga ekspertët tanë del se ky mund të jetë zbulimi më interesant që është bërë në Kosovë për disa dekada sa i përket fushës së arkeologjisë”, ka thënë ai, duke shtuar se MKRS do ta vazhdoj edhe në vitet e ardhshme t’i japë një prioritet meritor këtij lokaliteti dhe në bashkëpunim me institucionet përkatëse të bëhet një plan i qartë i punës dhe menaxhimit.

“Për vitin e ardhshëm, pas hulumtimeve që do të kemi, ne do të punojmë ne një plan të detajizuar për të arritur të një pikë që të realizojmë një muze të hapur arkeologjik. Kjo është po ashtu edhe një punë që  nxjerrë në pah qytetërimin e hershëm të të parëve tanë që ka lulëzuar para shumë shekujve”,  ka shtuar ai.

Duke folur për angazhimet e MKRS-së në fushën e trashëgimisë kulturor, Ministri Krasniqi rikujtoi që MKRS e ka prioritizuar fushën e arkeologjisë dhe tha se në këto tre vjet janë shumëfishuar investimet në arkeologji, duke rritur dukshëm numrin e ekspeditave, gjë që ka rezultuar edhe me gjetjet në Dresnik.

Nga ana tjetër, Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota ka falënderuar MKRS-në për mbështetjen dhe ka premtuar se komuna do t’i japë një rëndësi të veçantë lokalitetit arkeologjik në Dresnik, me qëllim që në të ardhmen kjo hapësirë të jetë një atraksion turistik.
Monumenti i zbuluar në Dresnik është i vetmi i këtij lloji zbuluar deri tani ne territorin e Republikës se Kosovës, dhe në secilën dhomë të ndarë të saj ka mozaik shumëngjyrësh, të punuar në mënyrë të veçantë.
 

Prapa