Departamenti i Trashëgimisë Kulturore

Politikat e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore


Trashëgimia kulturore është definuar si një ndër sektorët prioritarë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, siç përcaktohet në Programin e Qeverisë të Republikës së Kosovës 2015-2018 dhe Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2015-2018. Këto dokumente dhe të tjera respektive përbëjnë bazën institucionale për hartimin e kësaj Strategjie Kombëtare për Trashëgiminë Kulturore 2015-2025; bazën ligjore e përbëjnë ligjet në fuqi, respektivisht: Ligji për Trashëgimi Kulturore, Ligji për Zonat e Veçanta të Mbrojtura, Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit, Ligji për Hoçën e Madhe, Ligji për Fshatin Zym; ligjet tjera (Ligji për Planifikimin Hapësinor, Ligji për Arkivat, Muzetë, etj.), aktet ligjore dhe nënligjore, përfshirë provizionet e bashkëpunimit evropian dhe konventat ndërkombëtare të cilat i ratifikon Republika e Kosovës.

Trashëgimia kulturore e Kosovës është shprehje dhe krijimtari e realiteteve jetësore të zhvilluara në harkun kohor mbi tetë mijë vjet, që nga parahistoria në vijim deri më sot. Kjo pasuri e trashëguar me vlera unike artistike, estetike, historike dhe karakteristika tradicionale, ilustrohet me diversitetin e pasur të trashëgimisë arkitekturore, arkeologjike, të luajtshme dhe shpirtërore, si dhe me peizazhin e pasur kulturor.