Fillon fushata kundër piraterisë dhe falsifikimit pas 15 gushtit konfiskohet çdo material i paautorizuar dhe ndiqen ligjërisht shkelësit e ligjit
Task Forca Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit e themeluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, ka nisur nga sot fushatën informuese dhe edukuese kundër piraterisë dhe falsifikimit, me moton Stop Piraterisë. Gjithë fushata informuese do të jetë nën menaxhimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, që është edhe kryesuese e Task Forcës.
Fushata ka nisur me njoftimin drejtuar të gjithë personave, fizik dhe juridik, të cilët bëjnë prodhimin, shpërndarjen, shitjen fizike të materialeve, apo vendosjen në internet, të produkteve të cilat përmbajnë material që mbrohet me të drejtën e autorit, se obligohen që të pajisen me kontrata apo autorizime përkatëse nga mbajtësit e të drejtave. Konkretisht, nga ta kërkohet që të sigurojnë që produktet e vëna në qarkullim, të mos jenë produkte pirate apo të shkelin të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta.
Inspektimi i prodhuesve të produkteve që përmbajnë material që mbrohet me të drejtën e autorit, i tregut, dhe i ueb-faqeve të internetit, do të filloj nga data 15 Gusht 2013.
Task Forca, përmes institucioneve pjesëmarrëse në kuadër të saj, Inspektoratit të Tregut dhe Policisë së Kosovës, do të bëjë sekuestrimin e materialëve pirate dhe mjeteve për prodhimin e tyre, pas datës 15 Gusht 2013. Ndaj personave që dyshohet se me veprimet e tyre kanë bërë shkeljen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta, do të ndërmerren masa administrative (në bazë të Ligjit për të Drejtën e Autorit dhe Inspektoratit të Tregut) dhe penale ( në bazë të Kodit Penal), thuhet në njoftimin e lëshuar sot në të gjitha mediet e shtypura në Kosovë.
Në njoftimin e vet, Task Forca kujton edhe masat që parashihen me legjislacioni në fuqi, për të gjithë ata që piratojnë dhe falsifikojnë.
Sipas Ligjit për të Drejtat e Autorit, nëse personi juridik në kuadër të veprimtarisë së vet ose në biznes me të tjerët, shfrytëzon pa leje veprën e autorit ose lëndën nga të drejtat e përafërta, dënohet me gjobë prej dymijë (2000) deri në dhjetëmijë(10 000) Euro. Ndërkaq, sipas Kodit Penal, kushdo që bënë shkeljen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, dënohet me gjobë dhe/ose me burgim nga 3 muaj deri në 8 vjet. Sendet dhe pajisjet për prodhimin e produkteve që shkelin të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta konfiskohen.
Në takimin e vet të mbajtur para disa ditësh, Task Forca Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit është pajtuar që gjatë fushatës të ketë një bashkëpunim me shoqatat kolektive për administrim të së drejtës së autorit dhe gjithë komunitetin, në mënyrë që të ketë një pasqyrë më të qartë për personat juridik dhe fizik që kanë materiale pirate dhe të falsifikuara. Gjatë kësaj kohe, do të ketë vizita të ndryshme në terren me qëllim të njoftimit me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e së drejtës së autorit, ne veçanti me Strategjinë Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit të hartuar nga MKRS dhe miratuar në Qeveri, muaj më parë.
Task Forca kundër falsifikimit dhe piraterisë në fushën e të drejtës së autorit ka këtë përbërje:
Drejtori i Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, Kryesues - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit-Kryesues;
Kryeinspektori i Inspektoratit të Tregut - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë-Zëvendëskryesues;
Drejtori i Zyrës për Pronësi Industriale - Ministria e Tregtisë dhe Industrisë;
Drejtori i Drejtorisë për Zbatimin e Ligjit- Dogana e Kosovës;
Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike - Policia e Kosovës;
Drejtori i Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike Policia e Kosovës;
Kryeshefi i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose Konfiskuar Ministria e Drejtësisë.
Në takimet dhe punën e Task Forcës ftohën të marrin pjesë:
Kryeshefi Ekzekutiv i Komisionit të Pavarur për Media;
Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Postare dhe Elektronike dhe
Institucione dhe organizata tjera të pavarura.
Task Forca Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit
Njoftim
Sot, me vendim të Task Forcës Kundër Piraterisë dhe Falsifikimit, Inspektorati i Tregut, në mbështetje të njësive operative dhe hetuese të Policisë së Kosovës, ka bërë kontrollimin e subjekteve të cilat merren me fotokopjimin e librave - materialeve të shkruara që mbrohen me të drejtën e autorit.
Gjatë kontrollimeve është konstatuar se shumica e subjekteve që merren me fotokopjim të materialeve të shkruara nuk kanë poseduar materiale të paautorizuara. Tek subjektet në të cilat janë gjetur materiale pirate, ato janë sekuestruar nga Inspektorati i Tregu, dhe Policia e Kosovës do të procedoj rastet e shkeljeve në prokurorinë kompetente.
Njoftojmë mbajtësit e të drejtave dhe subjektet të cilat bëjnë prodhimin, shpërndarjen dhe shitjen e materialeve që mbrohen me të drejtën e autorit, se Task Forca kundër piraterisë dhe falsifikimit, do të jetë në veprim dhe do te ndërmerr aksione të vazhdueshme në treg, duke instaluar sistemin e mbrojtjes së krijimtarisë intelektuale dhe luftën kundër piraterisë si një mision të përditshëm të institucioneve shtetërore.
Task Forca njofton se Policia e Kosovës ka ngritur kallëzimet e para penale kundër shkelësve të të drejtave të autorit dhe procedura penale është duke vazhduar në prokuroritë dhe gjykatat kompetente.
Task Forca rikujton masat e parapara ligjore për shkeljen e të drejtave të autorit:
Sipas Ligjit për të Drejtat e Autorit, nëse personi juridik në kuadër të veprimtarisë së vet ose në biznes me të tjerët, shfrytëzon pa leje veprën e autorit ose lëndën nga të drejtat e përafërta, dënohet me gjobë prej dymijë (2000) deri në dhjetëmijë(10 000) Euro.
Sipas Kodit Penal, kushdo që bënë shkeljen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, dënohet me gjobë dhe/ose me burgim nga 3 muaj deri në 8 vjet. Sendet dhe pajisjet për prodhimin e produkteve që shkelin të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta konfiskohen.