Në Londër do të përfaqësohet kombi shqiptar

13.07.2012

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Memli Krasniqi dhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë, z. Aldo Bumçi, kanë takuar mbrëmë në Tiranë në “Hotel Rogner”, ekipin olimpik të Shqipërisë, disa ditë para fillimit të Lojërave Olimpike “Londra 2012”. Me këtë rast ekipit olimpik i është dorëzuar edhe flamuri, me të cilin do të parakalojë në hapje të lojërave. Në ekipin e Shqipërisë është edhe xhudistja nga Kosova, Majlinda Kelmendi. Të dy ministrat kanë uruar sukses për sportistët, duke theksuar se e rëndësishme mbi të gjitha është prezantimi sa më dinjitoz.

Ministri Krasniqi tha se në të ardhmen në Lojërat Olimpike do të jenë dy flamuj, i Shqipërisë dhe i Kosovës, por në fakt atje do të përfaqësohet një komb. “Ju në fakt nuk jeni vetëm ekipi i një shteti, por jeni krenaria dhe përfaqësimi i një kombi. Kemi bërë gjithë këtë rrugë, gjithë këto të arritura bashkërisht, në 100 vitet e ekzistencës së shtetit shqiptar ne do të jemi bashkë edhe në të ardhmen pa marrë parasysh edhe si dy shtete, por gjithmonë si një komb”, tha ministri Krasniqi, teksa u ka uruar suksese olimpistëve. Në fjalën e tij, ministri Bumçi theksoi mundin e sportistëve për të arritur deri këtu, dhe vlerësoi arritjet që ata kanë bërë në arenën evropiane e botërorë në sportet respektive. “Falë talentit të tyre, vullnetit të tyre, stërvitjeve katërvjeçare, kanë arritur që të kualifikohen me sukses. Për ne, tashmë ju jeni medalistë dhe kjo sepse ju do të na përfaqësoni gjithë shqiptarëve atje”, theksoi ministri Bumçi. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe shumë sportistë tjerë, ambasadorë dhe përfaqësues të shumtë të institucioneve të shoqërisë civile dhe shtetërore.

Ekipi olimpik shqiptar përbëhet nga 11 sportistë, në peshëngritje Briken Calja, Daniel Godelli, Endri Karina, Hysen Pulaku dhe Romela Begaj, në not Sidni Hoxha Noel Borshi, në qitje Arben Kucana dhe në xhudo Majlinda Kelmendi, në atletikë Adriatik Hoxha dhe Klodiana Shala.  Sportistja shqiptare që do të mbajë flamurin në parakalimin e ekipit më 25 korrik në ceremoninë e hapjes së olimpiadës “Londër 2012”, do të jetë Romela Begaj.

Prapa