Kosova, përmes Manifestës referencë globale

23.07.2022

Mbrëmë Prishtina hapi dyert për një prej ngjarjeve më të mëdha ndërkombëtare të artit bashkëkohorë. Filloi Manifesta 14 Prishtina.

Mbi Pallatin e Rinisë dhe Sporteve ngjarja u hap me perfomancën LYNX të artistit Astrit Ismaili dhe grupit të tij performues, duke vazhduar me fjalimet e krerëve të shtetit të Republikës së Kosovës.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, drejtoresha e Manifesta, Hedwig Fijen si dhe shumë personalitete të tjera nga politika dhe arti.

Në fjalën e saj hyrëse Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu tha se Kosova është vend i rinisë dhe artistët tanë të rinjë e bënë vendin referencë globale me këtë ngjarje të madhe kulturore.

Mes shumë të pranishmëve, Kryeministri Kurti tha se është shumë i lumtur që gjendet në mesin e tyre, në hapjen e kësaj ngjarjeje madhështore për Kosovën, duke shpresuar që t’ju japë atyre një mirëseardhje të madhe.

“Kur Prishtina u zgjodh si qyteti pritës, pas disa muajsh bashkëpunimi intensiv, u mahnita kur pashë se si Manifesta arriti të zbulojë pikërisht këtë frymë të popullit tonë. Prandaj jam plotësisht i bindur sot, se në 100 ditët në vijim përmes Manifestës do ta shohim Kosovën të shpaloset në formën e saj më të mirë dhe duke shkëlqyer. Jam i sigurt se në një mënyrë apo tjetër do t’ju pëlqejë shumë qyteti im, Prishtina. Prandaj, përgatituni të magjepseni’’, u shpreh kryeministri Kurti.

Mbrëmja vazhdoi me një performancë speciale nga bendi Jungle by Night dhe me më pas me Prishtina All Stars.

Përgjatë këtyre 100 ditëve në edicionin e 14 të bienales Manifesta do të marrin pjesë 102 pjesëmarrës nga 30 shtete të botës dhe do të prezantohen 45 vepra të reja të punuara për Manifestën.

Prapa