Prezantohet raporti për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

19.07.2022

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka prezantuar raportin e fundit tematik, Mbrojtja e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë.

Raporti ofron një pasqyrë të politikave, kornizave ligjore dhe administrative të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore dhe analizon ndërlidhjen e ngushtë ndërmjet çështjeve të mbrojtjes së trashëgimisë, sigurisë, infrastrukturës dhe planifikimit hapësinor.

Në këtë tryezë mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili prezantoi veprimet dhe të arriturat e Ministrisë së Kulturës, për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend që nga fillimi i mandatit.

Gjatë adresimit Çeku, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore si prioritet i Qeverisë. “Kosova ka një pasuri të jashtëzakonshme kulturore, e cila është vlerë universale dhe çelës për krijim të ndërveprimit shoqëror dhe tejkalim të dallimeve ndërmjet komuniteteve”, tha ai. “Ne jemi të përkushtuar që kulturën dhe trashëgiminë kulturore ta vendosim në qendër të parimeve thelbësore të bashkëjetesës, respektit të ndërsjellë dhe zhvillimit të një shoqërie demokratike.”

Ndërsa ambasadori Michael Davenport, Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë ndër të tjera tha që “Misioni i OSBE-së ka mbështetur në mënyrë të vazhdueshme përpjekjet për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore në Kosovë, pasi ruajtja efektive e trashëgimisë kulturore është e rëndësishme për të gjitha komunitetet”.

Raporti rendit një sërë rekomandimesh për institucionet kryesore për të rritur mbrojtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore, duke përfshirë: prezantimin e planeve të menaxhimit për objektet e trashëgimisë kulturore, kryerjen e vlerësimeve të ndikimit në trashëgimi për ndërhyrjet e planifikuara, zhvillimin e një përkufizimi më gjithëpërfshirës të trashëgimisë kulturore, dhe rritjen e qëndrueshmërisë së objekteve të trashëgimisë kulturore ndaj ndryshimeve klimatike ose shkatërrimit të qëllimshëm.

Prapa