Koleksioni shtetëror i veprave të artit

12.03.2024

Gjatë tri viteve të fundit është shënuar pikë kthyese për koleksionimin e artit në vendin tonë, pas ndarjes së buxhetit prej 1 milion eurosh nga Qeveria e Kosovës për blerje të veprave.

Në vitet 2022 dhe 2023, Galeria Kombëtare e Kosovës ka pasuruar Fondin me 148 vepra të reja nga artistët vendas.

Për më tepër, koleksioni është plotësuar me 120 punime nga koleksioni i Hotelit Grand duke përfshirë këtu disa nga artistët më të njohur në vend si dhe me 75 vepra të reja nga artistë të përzgjedhur të cilët morën pjesë në Bienalen Nomade Evropiane, Manifesta 14, e organizuar në Prishtinë.

Ndërsa, përmes blerjeve direkte të cilat janë menaxhuar nga stafi i GKK-së, koleksioni pati moment transformues në historinë e tij duke u pasuruar me vepra të rëndësishme nga shtatë artiste të njohura si Alije Vokshi, Violeta Xhaferi, Valbona Zherka, Lala Meredith-Vula, Feriha Rada, Hyrije Krypa dhe Zake Prelvukaj. Kjo nismë shënon ndryshim thelbësor në historitë mbizotëruese të artit në vend, duke korrigjuar neglizhencën ndaj artisteve gra brenda historisë të artit dhe institucionit.

Galeria Kombëtare e Kosovës këtë vit do të bëjë blerje të reja me buxhet prej 400.000 eurosh, duke vazhduar me hulumtime më të gjerësishme për artistët modern dhe bashkëkohorë në kontekstin vendor.

Koleksioni shtetëror i veprave të artit për herë të parë është i qasshëm edhe online: https://shorturl.at/AFS07

Prapa