Përplot aktivitete kulturore javën e kaluar

22.05.2023

Java që shkoi ishte përplot aktivitete kulturore. Koncerte, përfaqësim i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venecia e festivale të shumta që i dhanë gjallëri vendit.

Filloi me koncertin e Balkan Sexter 'Pro Arte" në Chopin Piano Fest. Një program interesant dhe interpretim i shkëlqyeshëm nga gjashtë artistë të mrekullueshëm të Balkan Sextet ‘Pro Arte’, themeluar 10 vite më parë.

Të martën u mbajt koncerti i Korit Siparantum, në kuadër të ReMusica Festival. Nën udhëheqjen e dirigjentit Memli Kelmendi, në skenë performuan disa nga muzikantët më të talentuar të rajonit.

Java vazhdoi me një tjetër ngjarje të veçantë. U hap Pavijoni i Kosovës në edicionin e 76-të të festivalit të Kanës. Vendi ynë po prezentohet në tregun më të rëndësishëm të filmit ‘Marche Du Film’ në festivalin e Kanës.

Në Prishtinë u dha premiera e Operës solemne “Skënderbeu, kryezot i Arbërit” nga Filharmonia e Kosovës në bashkëpunim me TKOBAP Shqipëri. Një mbrëmje plot emocion që kremtoi mes notash historinë e kombit shqiptar.

Kosova hapi Pavijonin e saj në edicionin e 18-të të Bienales së Arkitekturës në Venedik. Vendi ynë po prezantohet me ekspozitën RKS² | Lokaliteti Transcendent të kuratorëve Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri.

Te premten u mbajt koncerti homazh "Në vend të lotit" nga Ansambli Shota, kushtuar klarinetistit Mentor Krasniqi. Një koncert me këngë dhe valle nga opusi i traditës muzikore shqiptare.

Kitaristi i njohur për talentin dhe performancat e mrekullueshme, Petrit Çeku mbajti dy koncerte të veçanta në vend. Një në Mitrovicë dhe tjetrin në Prizren. Ai performoi “Gjashtë suitat për violonçel” të Johann Sebastian Bach, të transkriptuara për kitarë nga violonçelisti Valter Deshpali.

Java u mbyll me dy aktivitete kulturore që u mbajtën të dielën. Koncert i Orkestrës së të Rinjve të Kosovës në bashkëpunim me Orkestrën e të Rinjve të Berlinit dhe shfaqjen teatrore filozofike “Superfluous Man” e koncertin frymëzues të Rina Kaçinari Trio me të cilat u mbyll festivali FemArt.

Prapa