Përfundojnë 100 ditët e Manifesta 14 Prishtina

31.10.2022

100 ditë të Bienales Manifesta 14 Prishtina u mbyllën mbrëmë me një organizim të veçantë dhe koncert nga bendi Saz'iso.

Për të festuar përfundimin e suksesshëm të bienales, në njërin nga lokacionet që kanë pësuar transformim urban, në Fabrikën e Tullave, u mblodhën organizatorët, partnerët, stafi i Manifesta dhe shumë qytetarë.

Fjalën e morën Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama dhe drejtoresha e Manifesta, Hedwig Fijen.

Ministri Çeku u shpreh i gëzuar që vendi ynë dëshmoi që ka kapacitete për të organizuar ngjarje të përmasave të tilla dhe qytetarët patën mundësi që për 100 ditë të shijojnë art dhe programe artistike për të gjitha moshat. Ai i falenderoi të gjithë organizatorët dhe përmendi imazhin pozitiv që Kosova ka fituar nga mediet ndërkombëtare me mbulimin e kësaj ngjarjeje.

Në fund, bendi shqiptar Saz'iso mbajti koncert shumë emocionues dhe përmbyllën në mënyrë madhështore bienalen nomade evropiane, Manifesta 14 Prishtina.

Prapa