143 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

10.06.2021

Sot janë bërë 143 vite prej një dite të veçantë kur u mblodh Kuvendi i cili themeloi lidhjen e parë mbarë-shqiptare, një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së kombit shqiptar.

Për nder të kësaj dite në qytetin e Prizrenit u mbajtën aktivitete të shumta, një organizim ky nën patronatin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, në bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Komunës së Prizrenit.

Në këtë ngjarje të pranishëm ishin Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës z.Glauk Konjufca, Ministri i MKRS, z. Hajrulla Çeku, Kryetari i Komunës së Prizrenit z.Mytaher Haskuka, deputetë dhe shumë pjesëmarrës të tjerë.

Aktivitetet filluan me Homazhe tek shtatorja e prijësve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, për të vazhduar më tutje me fjalimet.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës z. Glauk Konjufca ndër të tjera tha që Lidhja e Prizrenit paraqet kulmin politik të Rilindjes Kombëtare, ndërsa Ministri z. Çeku foli për rëndësinë që ka kjo datë për historinë tonë, ndërsa theksoi përkushtimin e MKRS për përmirësimin e kushteve në Kompleksin Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në mënyrë që mesazhi shumë i rëndësishëm historik të prezantohet, promovohet dhe të bartet në gjeneratat e ardhshme, duke tejkaluar edhe kufijtë kombëtarë.

Organizimi vazhdoj me një recital nga z. Armend Baloku, aktor dhe me vizitë në ndërtesën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ku u bë prezantimi i veshjeve të Rugovës, Hasit, Lumës, Dibrës, Gurit të Bardhë, Matit, Hotit dhe Grudës.

Në këtë ngjarje Ministri z. Çeku, ishte i shoqëruar nga zëvendësministri z.Sejnur Veshall dhe Këshilltarja politike znj. Nora Arapi Krasniqi.

Prapa