Instalacioni 'Lule Mosmëharro' nga Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës

31.05.2021

Autostrada Biennale, në edicionin e saj të tretë, bashkë me edicionin e 5-të të Javës së Krenarisë në Kosovë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” dhe Manifesta 14, kanë kënaqësinë të prezantojnë: Lule Mosmëharro 2020 – 2021 nga Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano.

Hapja është me 30 qershor ndërsa për publik e hapur nga 1 korrik deri 11 shtator 2021.

Lule Mosmëharro është një instalacion lulesh gjigande të krijuara nga pëlhura që do të prezantohen nën kupolat e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ndërtesë kjo arkivore e kujtesës dhe dijes kolektive. Krahas bukurisë së tyre madhështore, secila lule veçmas në këtë instalacion - qoftë boshtra, farat e palmës, luleqershija, luleftoi, ose karanfili - ngërthejnë në vetvete një domethënie si për historitë personale, gjithashtu edhe për lidhjën e të dy artistëve me njëri tjetrin. Këto lule gjithashtu shërbejnë si përkufizues të potencialit që kujtesa personale mbartë më vete për ta rishkruar gradualisht kujtesën kolektive. Lulet e prezantuara mishërojnë format e dashurisë, dëshirat seksuale, intimitetin, lidhjet, dhe identitetin, në përgjithësi, e sidomos të atyreve që janë vazhdimisht të lënë, e të lëna anash, apo të shtypur, e të shtypura nga politikat dhe normat regresive të krijuara nga shoqëria.

"Këto lule po i sjellim në Prishtinë për të festuar moskonformizmin, një nxitje për një vizion për ndryshim, një ftesë për të ëndërruar, një thirrje për diversitet.” - Petrit Halilaj dhe Alvaro Urbano.

Prapa