Ministri Gashi: Suksesi i hendbollisteve të Istogut dëshmi se posedojmë talente e cilësi në sport

13.12.2018

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në kabinetin e tij klubin e hendbollit në kategorinë e vajzave “Istogu”, pas kualifikimit të tyre në mesin e 16 skuadrave më të mira të EHF Challange Cup.
 
Me këtë rast, ministri Gashi shprehu mirënjohje dhe falënderime për suksesin e radhës të hendbollisteve të klubit “Istogu”, duke e vlerësuar kualifikimin e tyre në Challange Cup si kualifikim historik.

“Dua të përgëzoj këto sportiste të talentuara të cilat me punën e tyre tashmë kanë arritur të jenë pjesë e finales së Challange Cup në mesin e 16 ekipeve më të mira të Evropës. Sukseset e sportisteve tona çdo ditë e më shumë po e dëshmojnë se vendi ynë ka të rinj dhe të reja të talentuar që me punën e tyre po arrijnë suksese edhe jashtë vendit”, tha ndër të tjera ministri Gashi.
 
Ai po ashtu tha se është i vendosur që të vazhdojë në përkrahje të sportisteve e sidomos në krijimin e kushteve infrastrukturore në mënyrë që ato të zhvillojnë aktivitetet e tyre në ambiente të përshtatshme sportive.

“Ne jemi të përkushtuar që të punojmë në krijimin e kushteve për të gjithë sportistët e vendit dhe klubet tona që po vazhdojnë të korrin suksese edhe në gara ndërkombëtare. Andaj edhe sot ju bëj me dije se përkrahja jonë për vajzat e klubit “Istogu” nuk do të mungoj”, theksoi ministri Gashi.
 
Ndërkaq, Faruk Shala trajneri i klubit të hendbollit në kategorinë e vajzave “Istogu”, falënderoi ministrin Gashi për pritjen e tij dhe për gatishmërinë e tij për të ndihmuar dhe përkrahur vajzat në rrugëtimin e tyre për arritjen e sukseseve të reja edhe jashtë vendit.


 

Prapa