Kosova vend ku bazë e identitetit është sporti, paqja e diversiteti

23.10.2018

Zëvendësministrja Burbuqe Bakija-Deva ka marrë pjesë në Forumin Rajonal të Paqes dhe Sportit, të mbajtur në ishullin Rodos të Greqisë, bashkë me nëntë Ministrave dhe Zëvendësministrat e rajonit dhe me gjerë, autoritete tjera të larta nga bota sportive si dhe Komiteti Olimpik i Greqisë.

Zëvendësministrja Bakija-Deva paraqiti të arriturat e MKRS-së në fushën e sportit, si dhe sfidat me të cilat po ballafaqohen sportistet tanë.

Me temën “Rising Up Through Sport", Forumi Rajonal mblodhi 350 vendimmarrës nga 50 vende, 50 folës të nivelit të lartë, dhe 10 kampion botërorë për paqe, për të demonstruar ndikimin pozitiv të sportit në shoqëri.

Gjatë këtij forumi së bashku me pjesëmarrës të profileve të larta, me fituesit e Çmimit Nobel të Paqes, me organizatat ndërkombëtare, si dhe me OJQ-të, ndër tjera u bë identifikimi i sfidave rajonale duke ndërtuar sinergji për të maksimizuar aktivitetet e sportit për ndryshime pozitive.



Ja fjala e plotë e zëvendësministres:



Të nderuar

Zt. George Hatzimarkos, Guvernator i Rajonit Egjeut Jugor

Zt. Joel Bouzou, President dhe Themelues i Forumit " Peace and Sport"

Të nderuar panelistë,

Zonja dhe Zotërinj,

Sporti ndryshon jo vetëm jetën e çdo individi, por në të njëjtën kohë sporti mund të ndryshojë një shoqëri të tërë, ta bëjë atë më të bashkuar, më optimiste, më krenare për vlerat dhe aftësitë e saj. Sporti përfaqëson vlerat tona në botë.

Sporti në Republikën e Kosovës është kategori kushtetuese dhe përkufizohet si një kategori me interes të veçantë shoqëror dhe financohet kryesisht nga buxheti i Republikës së Kosovës.

Ministria e Kulturës, Rinis dhe Sportit, ka përcaktuar detyrimet dhe qëllimet në bazë te ligjeve, duke vendosur kritere dhe prioritete për ndarjen e mjeteve buxhetore për zhvillimin e sportit duke përfshirë të gjitha komunitet në aktivitete sportive, avancimin e sportit femëror, si dhe subvencionimin e aktiviteteve sportive të personave me aftësi të kufizuara.

Sporti është një prioritet nacional për shumë arsye, e në veçanti për kontributin e vlefshëm që ka dhënë në të gjitha fazat e zhvillimeve në Republikën e Kosovës.

Investimi për fëmijët dhe të rinjtë, nënkupton krijimin e kushteve për pjesëmarrje në sport në nivel të shkollave dhe organizatave lokale të sportit nëpërmjet sistemit “Sporti për të gjithë”, zhvillimin e ndeshjeve të sportit kulmor, zhvillimin e infrastrukturës së sportit, si dhe ngrit vetëdijen qytetarë për tu marrur me sport.

Sporti kërkon organizim, administrim dhe implementim të aktiviteteve sportive, ku në Kosovë tradicionalisht janë të bazuara në angazhim vullnetar.Puna vullnetare në sport ka vlerë të rëndësishme në terma social.

Prandaj Sporti mund të konsiderohet si mjet për zhvillim lokal, regjional,dhe global, gjithashtu edhe rigjenerim urban dhe zhvillim rural ku shumë vende mund të identifikohen ndërmjet sportit.

MKRS përmes javës Evropiane te sportit dhe organizatave sportive dhe OJQ ka organizuar konferenca, qe të trajtoje çështjet e barazisë gjinore dhe diversiteti, duke ritheksuar kështu prioritet e Qeverisë së Republikës së Kosovës e në veçanti të MKRS-së për fuqizimin e pozitës së grave dhe vajzave në sport.

Mbështetja e diversiteti dhe barazisë gjinore do të thotë ti trajtosh njerëzit pa dallim kombësi, besimi, gjinie, moshe, aftësie fizike dhe ti shohësh njerëzit si individ duke pranuar të veçantat e tyre dhe duke marrë në konsideratë të drejtat individuale dhe identitetin e tyre.

MKRS-ja me politika zhvillimore mbështet banorët e Kosovës të kenë qasje në sport, sipas specifikeve të grupeve të nën-përfaqësuara qe janë të rregulluara me akte nën-ligjore dhe Ligjin për Sport.

Që nga pavarësia e saj në vitin 2008, Kosova ka bërë përpjekje për njohje ndërkombëtare dhe mundësi për angazhim në ngjarjet sportive ndërkombëtare. Për më tepër, anëtarësimi i vonuar dhe pjesëmarrja e federatave dhe sportistëve të Kosovës në ngjarjet dhe garat ndërkombëtare ka pasur një ndikim të rëndësishëm në sportet kosovare.

Ndonjëherë ajo që politika nuk mund ta bëjë, sporti mund ta arrijë atë, dhe kjo me së miri është dëshmuar me pranimin e Kosovës në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, duke votuar edhe përfaqësuesit e shteteve që nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Kur politika përbën pengesa të paprecedentë për integrimin dhe zhvillimin përpara shtetit të ri të Kosovës, është sporti që tejkalon pengesat për botën e lirë, është sporti dhe federatat ndërkombëtare që njohin ekzistencën e atletëve kosovarë që konkurrojnë dhe janë të njohur ndërkombëtarisht për vlerat e tyre dhe rezultatet e tyre. Është sporti që na njeh dhe e bën Flamurin të valvitet dhe jep shpresën për paqen dhe zhvillimin e Triumfit.

Rasti më i mirë ishte në vitin 2016, kur Kosova për herë të parë ka marrë pjesë në ngjarjen më të madhe sportive në Lojërat Olimpike Botërore në Rio, dhe xhudistja Majlinda Kelmendi, fitoi medaljen e parë të artë të Kosovës.

Gjithashtu javën e kaluar, në Lojrat Olimpike të Rinisë, te mbajtura në Bunos Air- Argentina, Erza Muminoviqi fitoi medaljen e bronztë olimpike.

Pra, promovimi i sportit dhe bashkëpunimi midis kulturave janë mënyra më e mirë për të arritur bashkëpunimin në politikë dhe për të ndërtuar ura të tolerancës dhe bashkëjetesës. Këto bashkëpunime janë testament për rivendosjen e komunikimit dhe bashkëpunimit mes sportit dhe kulturës të Kosovës me mbarë botën.

Ky rrugëtim sapo ka filluar dhe do të bëhet edhe më intensiv dhe më përmbajtësorë. Normalisht, ky udhëtim nuk është pa sfida, sfida që si në të kaluarën, kryesisht rrjedhin nga politika. Kosova, megjithëse është shtet prej 10 vitesh, ende nuk është njohur nga të gjitha vendet e rajonit dhe të Evropës. Të rinjtë në Kosovë shpesh nuk kanë mundësi të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme kulturore dhe sportive, sepse Kosova është i vetmi vend në Evropë që nuk gëzon lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Kjo pengon komunikimin mes Kosovës dhe popullit të Evropës.

Me shpresën se së shpejti Kosova do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ju garantoj se Kosova është dhe dëshiron të mbetet një vend ku paqja, sporti dhe diversiteti kulturor konsiderohet si bazë e identitetit dhe mirëqenies njerëzore!

Duke vlerësuar kohën tuaj, Ju faleminderit për vëmendje.

Prapa