Zëvendësministri Hoti takoi deputetë të parlamentit shqiptar

17.04.2015

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Rexhep Hoti, ka pritur sot në një takim deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga Genc Pollo, kryetar i Komisionit për Edukimin dhe Mjete të Informimit Publik. Në këtë takim u diskutua për avancim të bashkëpunimit mes Kosovë e Shqipërisë në fusha të ndryshme, me theks në arsim, kulturë e shkencë.

Zëvendësministri Hoti, në emër të ministrit Shala, i ka pritur mysafirët nga Shqipëria dhe i ka falënderuar për vizitën që i kanë bërë MKRS-së. Ai theksoi se dy vendet kanë pasur një bashkëpunim në shumë fusha, sidomos ato që i mbulon MKRS-ja. Hoti u shpreh se bashkëpunimi duhet të shkoj në drejtim të unifikimit konkret dhe më të ngushtë me programe të përbashkëta në fushën e kulturës si dhe në aktivitete sportive mes atletëve të dy vendeve.

Ndërkaq, Genc Pollo, kryetari i Komisionit për Edukim dhe Mjete të Informimit Publik, tha se komunikimi mes institucioneve përkatëse mes dy vendeve është në rrugën e duhur, por ky bashkëpunim duhet të avancohet edhe më tej. Ai përmendi faktin se marrëveshjet e fundit që u nënshkruan mes qeverive janë një hap i mirë drejt këtij avancimi, por bashkëpunimi do të shtrihet edhe në fushën e legjislativit ku komisione të ndryshme parlamentare do të shkëmbejnë përvojat mes tyre.

Në këtë takim, ishte i pranishëm edhe Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i cili e vlerësoi bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri si një shpresë dhe rritje të përkrahjes edhe për shqiptarët në regjionin e Luginës. Ai tha se është e nevojshme që një takim i përbashkët mes liderëve e deputetëve shqiptarë të organizohet në Luginë, me qëllim të rritjes së përkrahjes dhe të të drejtave të shqiptarëve. Ai tha se edhe në fushën e kulturës mund të realizohen projekteve të ndryshme kulturore, ku sipas Musliut, ka hapësirë dhe mundësi që të kontribuohet në këtë drejtim në Luginë.

Prapa