Zëvendëskryeministri Shala priti përfaqësuesin e BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar

05.02.2015

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, priti sot, në një takim njohës, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, z. Samuel Zhbogar. Në takim u diskutua për bashkëpunimin mes Kosovës dhe BE-së, veçanërisht në fushën e kulturës, sportit dhe të rinisë.

Shala e falënderoi përfaqësuesin e BE-së për Kosovë dhe përmes tij BE-në për mbështetjen e vazhdueshme për ndërtimin e jetës demokratike në Kosovë e posaçërisht në fushat të cilat i mbulon MKRS-ja.

Zëvendëskryeministri e informoi përfaqësuesin e BE-së për hapat që i ka ndërmarrë në fillim të marrjes së detyrës, duke nisur procedurat për përmirësimin e infrastrukturës ligjore, si dhe për objektivat konkrete që ka për synim t’i realizojë MKRS-ja.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Shala shprehu gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit mes Kosovës dhe BE-së, sidomos në projekte konkrete në kulturë, sport dhe politikat e rinisë.

Nga ana e tij, z. Zhbogar uroi zëvendëskryeministrin Shala për marrjen e detyrës së re. Ai i dëshiroi ministrit mbarëvajtje dhe realizim të planeve. Zhbogar theksoi se Bashkimi Evropian do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen duke rikonfirmuar se mbështetja e BE-së në projekte konkrete do të vazhdojë edhe më tutje.

Prapa