Zëvendëskryeministri Shala vizitoi Pejën, Klinën e Istogun

16.01.2015

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka vizituar sot komunën e Pejës, Klinës e Istogut dhe është takuar me kryetarët Gazmend Muhaxheri, Sokol Bashota, përkatësisht Haki Rugova, me të cilët ka diskutuar për projektet që pritet të zhvillohen e të finalizohen gjatë këtij viti.

Zëvendëskryeministri Shala, gjatë takimit në Pejë, e informoi kryetarin Muhaxheri, për investimet që këtë komunë, në projekte në fushat e kulturës, rinisë dhe sportit. Ai theksoi se ka dyfishuar buxhetin për palestrat sportive dhe ka rritur buxhetin për subvencionet.

Ndërkaq, kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka falënderuar zëvendëskryeministrin Shala për vizitën dhe e ka uruar për detyrën. Ai tha se pret që të kenë një bashkëpunim të frytshëm dhe realizim të projekteve në mënyrë që të përmbushen objektivat e parapara të komunës.

Kurse në vizitën që i ka bërë Komunës së Klinës, Shala e ka informuar kryetarin Sokol Bashota, për projektet dhe investimet që janë të parapara për Klinën. Ai tha se synohet që këtë vit të finalizohet palestra sportive e qytetit. Gjithashtu, zëvendëskryeministri theksoi se do të ketë një bashkëpunim dhe do të përkrah projektet e aktivitetet kulturore të kësaj komune.

Kryetari Sokol Bashota e uroi ministrin dhe e informoi ministrin Shala për aktivitetet kulturore dhe projektet që zhvillon komuna dhe për këtë ka falënderuar ministrin për mbështetjen dhe bashkëpunimin e ofruar.

Në kuadër të vizitave të sotme, ministri Shala ka qëndruar edhe në Istog, ku ka takuar kryetarin e Komunës, Haki Rugova, me të cilin diskutuan për mbështetjen e projekteve dhe investimin në infrastrukturë në këtë komunë.

Ministri Shala e ka njoftuar edhe kryetarin Rugova për dyfishimin e buxhetit për palestrën sportive që është duke u ndërtuar në Istog, ku tha se për këtë vit janë ndarë rreth 400 mijë euro. Po ashtu, Shala, ka informuar Rugovën për ndryshimet në infrastrukturën ligjore, e në kuadër të tyre edhe strategjive për fushat që mbulon MKRS-ja. Ai tha se pas rishikimit të buxhetit, përkrahja për sportin dhe kulturën e Istogut do të rritet edhe më tej.

Kryetari i Komunës së Istogut e ka falënderuar ministrin për vizitën dhe e ka uruar për detyrën. Ai theksoi se bashkëpunimi dhe mbështetja e MKRS-së është më se e nevojshme për komunën dhe pret që të rritet në të ardhmen.
 

Prapa