Zëvendësministri Hoti: Arkeologjia, një pikë lidhëse mes Kosovës dhe Gjermanisë

19.10.2016

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Gjermani, zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti ka vizituar edhe Muzeun Gjerman të Minierave në Bohum ku është takuar me përfaqësues të këtij muzeu.


Zëvendësministri Hoti është pritur në takim nga Prof. Dr. Thomas Stöllner, drejtor dhe anëtar i Bordit në Muzeun e Bohumit, Dr. Gabriele Körlin, Zëvendës Drejtoreshë e Departamentit për Hulumtime Shkencore dhe Dr. Guntram Gassmann.


Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Muzeu i Bohumit që nga viti 2012 kanë konkretizuar bashkëpunimin nëpërmjet nënshkrimit të një Memorandumi.


Në takimin që zëvendësministri Hoti pati me përfaqësuesit e muzeut, u diskutua rreth përtëritjes së memorandumit edhe për 3 vite.


Zëvendësministri Hoti shprehi dëshirën dhe gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin dhe së bashku u dakorduan që të mendohet për plane afatgjata për financimin e bashkëpunimit.

Një tjetër çështje me rëndësi që u diskutua është edhe mundësia për hapjen e një muzeu të Mineraleve të tipit të Bohumit në Kosovë, konkretisht në Kishnicë, për të cilin edhe përfaqësuesit e Bohumit u pajtuan se është shumë i mundshëm dhe shumë atraktiv.


Rreth kësaj, u tha se duhet vepruar menjëherë sa nuk janë bërë shembje të ndryshme ku mund të mbyllen korridoret.


Tutje u diskutua edhe për anën e përfitimit financiar prej fushës së turizmit dhe në këtë pikë u përmendën Kishnica dhe Ulpiana si pika shumë atraktive edhe shumë të afërta për turistët.


Përfaqësuesit e Muzeut të Bohumit  shprehën gatishmërinë për të bashkëpunuar edhe në projekte tjera veçmas cështjeve për të cilat u diskutuan në takim ndërkaq zëvendësministri Hoti siguroi se MKRS do të jetë gjithmonë e gatshme për projekte dhe nisma të përbashkëta.

 

Prapa