Përmbyllet projekti rreth përforcimimit të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale në Kosovë

03.11.2015


Është përmbyllur projekti “Përforcimi i Sistemit të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale në Kosovë (DPI)” i cili është financuar nga BE-ja, menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe implementuar nga Konsorciumi Pohl Consulting & Associates dhe Zyra Daneze për Patenta dhe Marka Tregtare.

 

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti në fjalën e tij, tha se përfitimet nga ky projekt për Sistemin e të Drejtave Pronësore Intelektuale kanë qenë të prekshme në fusha të ndryshme.

 

Hoti theksoi se asistenca e përfituar nga ky projekt ka ndikuar pozitivisht në përgatitjen e institucioneve të Republikës së Kosovës në implementimin e të drejtave pronësore intelektuale, përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe evropiane nga kjo fushë, përkatësisht të të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta.

 

“Posaçërisht pas nënshkrimit dhe ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, marrëveshje kjo që kërkon mbrojtje më të mirë të të drejtave të autorit dhe të drejtave tjera pronësore intelektuale, si dhe rekomandimit të Këshillit Ekzekutiv të UNESCO-së, për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë duke theksuar faktin se kjo i jep një vend të rëndësishëm promovimit të të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta”, theksoi Hoti.

 

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami tha se ky projekt ka pasur rëndësi shumë të madhe. Bajrami theksoi se projekti ka qenë i rëndësishëm sidomos në ngritjen e kapaciteteve të stafit.

 

Ajo tha se këtë vit projekti ka punuar edhe në draftin e strategjisë për pronësi industriale dhe së bashku me MKRS-në do të procedojnë kërkesën  që kjo strategji të dërgohet në Qeverinë e Kosovës.

 

Kurse Christof Stock, udhëheqës i bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë vlerësoi të arriturat e projektit. 

 

Ai tha se deri më tani ka pasur arritje të shumta pozitive në kuadër të projektit mirëpo shtoi se ka ende punë për tu bërë.

 

Për rëndësinë dhe të arriturat e projektit foli edhe drejtori i Zyrës së të Drejtave të Autorit dhe të Drejtave të Përafërta në MKRS, Valon Kashtanjeva . Ai theksoi se infrastruktura ligjore e të drejtave të autorit është harmonizuar me legjislacionin e BE-së.

 

Prapa