Ministri Shala vizitoi Mitrovicën

20.08.2015

Ministri i Kulturës, Rinisë, Sportit, Kujtim Shala, i shoqëruar nga zëvendësministri Rexhep Hoti dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, qëndroi sot për një vizitë në Mitrovicë, ku u prit nga kryetari Agim Bahtiri.

Ndërmjet ministrit Shala dhe kryetarit Bahtiri u bisedua për bashkëpunimin ndërmjet MKRS-së dhe komunës së Mitrovicës.

Ministri Shala u shpreh se qëllimi i vizitës është që të njihet më afër me problemet të cilat lidhen me institucionet e kulturës, sportin, si dhe politikat e rinisë, për të cilat fusha, sipas ministrit Shala, është i nevojshëm bashkëpunimi dhe bashkëveprimi ndërmjet MRKS-së dhe komunës.

Po ashtu, Shala tha se qëllimi i vizitës së tij në këtë qytet është jo vetëm për inspektimin e punimeve në disa objekte ku po zhvillohen punimet dhe ku MKRS-ja financon, por edhe të shihen mundësitë rreth projekteve tjera.

Kryetari Bahtiri falënderoi ministrin Shala për mbështetjen që i ka dhënë Mitrovicës, sidomos për investimet e rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës sportive në këtë qytet, si dhe për renovimin e shtëpisë së ”Xhafer Devës.”

Pas takimit në komunë, ministri Shala i shoqëruar nga zëvendësministri Hoti, kryetari Bahtiri, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, inspektoi punimet në stadiumin “Riza Lushta”, në Palestrën Sportive “Minatori”, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari”, si dhe në Qendrën Sportive Multifunksionale.

Prapa