MKRS dhe Këshilli i Evropës, bashkëpunim për promovimin e diversitetit kulturor dhe të trashëgimisë në Kosovë

29.01.2015

Bashkëpunimi në fushën e trashëgimisë kulturore, me theks, promovimi i diversitetit dhe trashëgimisë kulturore, ka qenë tema që kanë diskutuar sot në një takim në MKRS, zëvendëskryeministri, Kujtim Shala, njëherësh Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Gianluca Silvestrini, udhëheqës i Divizionit për Menaxhimin e Diversitetit Kulturor e Andrew Forde, U.D. Shef i Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë.

Zëvendëskryeministri Shala i ka falënderuar përfaqësuesit e KE-së për përkrahjen që kanë dhënë për Kosovën në të gjitha fushat e posaçërisht ato që i mbulon MKRS-ja. Ministri ka vlerësuar bashkëpunimin e deritashëm mes MKRS-së dhe KE-së, si dhe arritjet në kuadër të fushës së trashëgimisë kulturore që nga përmirësimi i infrastrukturës ligjore e deri tek projektet konkrete të realizuara në kuadër të promovimit kulturor. Përmes këtij bashkëpunimi është ndikuar në rritjen e sensibizlimit tek të gjithë për vlerat që ka diversiteti etnik, kulturor e fetar në Kosovë. Gjithashtu, ky bashkëpunim ka ndikuar në ruajtjen dhe njohjen më të madhe të trashëgimisë kulturore në Kosovë.

Ministri Shala, po kështu, shprehu besimin se bashkëpunimi do të vazhdojë dhe do të intensifikohet në të ardhmen dhe se MKRS mbetet e përkushtuar për të punuar edhe më shumë në fushën e trashëgimisë kulturore dhe në të gjitha fushat tjera që mbulon ajo.

Ndërkaq, udhëheqësi i Divizionit për Diversitet Kulturor, Gianluca Silvestrini, ka vlerësuar përkushtimin e MKRS-së për trashëgiminë kulturore. Ai e ka informuar ministrin për kontributin që ka dhënë KE-ja në kuadër të fushës së Trashëgimisë Kulturore, sidomos në mbështetje të legjislacionit dhe reformës organizative.

Kurse U.D. i Shefit të Zyrës së KE-së në Kosovë, Andrew Forde ka theksuar se KE dhe ministria kanë pasur një bashkëpunim të frytshëm dhe shprehu gatishmërinë që të vazhdohet kësisoj edhe në të ardhmen jo vetëm në fushën e Trashëgimisë por edhe në të gjitha fushat tjera që i mbulon MKRS.

Përfaqësuesit e KE-së kanë premtuar edhe një herë se KE-ja do të mbetet edhe me tej e përkushtuar që të mbështesë Kosovën në shumë sfera.

Prapa