Rezoluta e ECP-së: Kosova duhet të pranohet si partnere në programin kulturor të BE-së

05.10.2014

Parlamenti Evropian i Kulturës (ECP) ka mbyllur sot punimet e sesionit në 13-të që u mbajt nga data 3 tetor në Prishtinë.

Me këtë rast, rreth 100 anëtarët pjesëmarrës nga Evropa kanë nxjerrë një Deklaratë për Ukrainën dhe Rezolutën e Sesionit, në të cilën përveç të tjerash inkurajojnë Bashkimin Evropian që të përfshijë Kosovën në programet kulturore. ECP po ashtu vlerëson lartë rolin që shteti i Kosovës po i jep kulturës.

Gjatë tri ditëve janë diskutuar tema të ndryshme, ndër të cilat; roli i diplomacisë kulturore, artistët dhe barazia gjinore, roli i artistëve në konflikte, popullizmi në Evropë, e  tema të tjera. Po ashtu gjatë këtyre ditëve pjesëmarrësit kanë pasur mundësi të shohin trashëgiminë kulturore të Kosovës. Për ta është organizuar edhe një koncert nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve ‘Shota’.

Anëtarët e ECP-së kanë vlerësuar lartë organizimin sesionit të 13-të dhe kanë falënderuar Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Këshillin Britanik në Kosovë për mikpritjen.

Me poshtë gjeni Rezolutën dhe Deklaratën e ECP-së:

REZOLUTA

Deklarata e Prishtinës me rastin e organizimit të Parlamentit Kulturor Evropian

Tetor 2014


Parlamenti Kulturor Evropian, i cili synon të sjellë në dritë vlerën e kulturës për Evropën dhe shoqëritë e saj,  në mënyrë që të lirojë vlerën e kulturës për Evropën dhe shoqëritë e saj, deklaron se

-    Në përballje me tensionet e rritura gjeopolitike dhe pasigurinë, arti dhe kultura evropiane duhet të nxisin dhe zhvillojnë në dialog të hapur mbi vlerat e shoqërisë demokratike dhe humane;

-    liria e krijimtarisë artistike dhe kulturore, përfshirë lirinë e të shprehurit dhe kritikës si pjesë përbërëse të saj përmes artit dhe letërsisë, janë të drejta themelore, të cilat janë të rrënjosura thellë në demokracinë dhe traditën kulturore evropiane;

-    një faktor kyç në mbrojtjen e kësaj lirie është modeli evropian mbi përgjegjësinë publike për artin. Ky model duhet të mbrohet duke u mos rrezikuar nga negociatat e sotme tregtare mes BE-së dhe SHBA-së;

-    shpirti i Evropës vlen më shumë sesa realitetet ekonomike e politike dhe është në rritje nevoja për një dimension vërtetë kulturor për politikën në Evropë;

-    artistët dhe personalitetet kulturore kanë një rol qendror në mbrojtjen e vlerave evropiane te demokracisë, tolerancës dhe humanizmit që po sfidohen nga neo-nacionalizmi, popullizmi dhe propaganda;

-    ndërtimi i një shteti është proces i cili mbështetet në përcaktimin e fuqisë së kontributit të këtij shteti në botë dhe jo më në identitetin garues

-    Evropa ka një histori të fuqishme dhe komplekse, por njerëzit e saj duhet të jenë të gatshëm të krijojnë të ardhme të suksesshme te inspiruara nga historia, e jo të bëhen të burgosurit e saj; 

-    cilësia dhe suksesi i bizneseve dhe organizatave mund të rritet përmes krijimtarisë aktive, vlerave estetike dhe shkathtësive;

-    arti dhe sektori i kulturës mund dhe duhet të luftojnë për barazi vazhdimisht, duke përfshirë barazinë gjinore, politike, udhëheqëse dhe operacionale.
 

I mbledhur në Kosovë, Parlamenti Kulturor Evropian përshëndet rolin qendror që kultura luan në ndërtimin e shtetit të ri dhe deklaron se

-    Kosova duhet të pranohet shumë shpejt si partnere e programit kulturor të BE-së;

-    Në frymën e procesit të vazhdueshëm të integrimit evropian, qytetarëve të Kosovës duhet t’u jepet menjëherë e drejta për të udhëtuar pa viza në hapësirën evropiane;

-    Rrjeti i Rinisë së ECP-së konstaton se artistët e rinj dhe profesionistët e kulturës në Kosovë janë një forcë kyçe dhe e domosdoshme për vitalitetin kulturor. Ata duhet të fuqizohen dhe të kenë qasje në menaxhimin e kulturës dhe hapësirave artistike, si dhe duhet të mbështeten nga politikat kulturore.



DEKLARATA

Anëtarët e Parlamentit Kulturor Evropian, të mbledhur në Prishtinë, më 4 tetor 2014, duke marrë në konsideratë cenimin e integritetit territorial të shtetit të Ukrainës, deklarojnë se
 
-    Parlamenti shpreh shqetësim të madh për vuajtjet e të gjithë qytetarëve të Ukrainës;

-    Parlamenti dënon kthimin e konceptit të sferave të interesit në Evropë dhe shprehë shqetësimin e tij të madh mbi propagandën e shtrembëruar ruse, e cila izolon rusët nga pjesa tjetër e Evropës;

-    ECP nxitë anëtarët e saj dhe të gjithë personalitet kulturore të mbajnë kontakte të vazhdueshme me kolegët e tyre rusë dhe ukrainasë dhe, derisa kritikojnë qeverinë e saj, të shmangin demonizimin e Rusisë, qytetarëve të saj dhe trashëgimisë së saj të pasur kulturore;

-    anëtarët e ECP-së përkushtohen në përhapjen e ndjenjave të tyre të forta të tyre rreth çështjeve që lidhen me Ukrainën dhe Rusinë, duke pasur parasysh ndarjen e re dhe destruktive që kjo krizë ka sjellë në Evropë;

-    regjisori ukrainas Oleg Sentsov, i cili akuzohet për terrorizëm në baza të dyshimta, i kapur në Krime, dhe i cili aktualisht mbahet në Moskë, duhet të lirohet menjëherë.

 

Prapa