Nis shpërndarja e 23 mijë topave të futbollit në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë

28.03.2014

Rreth 23 mijë topa futbolli kanë nisur sot të shpërndahen nëpër të gjitha shkollat e Kosovës. Ka qenë Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi që ka hapur këtë fushatë në një ceremoni në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë. Shpërndarja e këtyre topave që quhen ‘One World Football” është aktivitet në kuadër të projektit “Football4Peace”, që në Kosovë implementohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në bashkëpunim me International Relief and Development dhe Sport Sans Frontières.

Në këtë ceremoni, përpos kryeministrit Thaçi ka marrë pjesë edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ambasadorja e Francës në Kosovë, Maryse Daviet, drejtorë shkollash, portieri i Përfaqësueses së Kosovës, Kushtrim Mushica dhe drejtuesit e Federatës së Sportit Shkollor.

Në fjalën e tij, kryeministri Thaçi tha se pajisja e të gjitha shkollave me këta topa, është një shtytje që i jepet sportit shkollor, si një aspekt i masivizimit dhe promovimit të sportit. Ai ka kujtuar momente nga fëmijëria e tij në shkollë, duke thënë se dikur ishin kushtet e vështira për zhvillimin e sportit në shkollë, pasi mungonin palestrat, fushat dhe pajisjet tjera.

“Sikur edhe për juve sot besoj, një prej lëndëve më të pëlqyerat tonat ishte kultura fizike.

Atëherë ne nuk i kishim kushtet shumë të mira për këtë lëndë. Nuk kishim palestra siç i keni ju sot, dhe fushat i improvizonim. Futbolli na pëlqente të gjithëve. Gati e gjitha shkolla e kishim vetëm një top.

Kur luanim e kishim problem të gjenim portier, sepse të gjithë donim të ishim në fushë, e gati të gjithë në sulm. Unë nuk është se kam pasur ndonjë talent të madh për futboll, por mbaj mend se disa gola kam shënuar”, tha ai para nxënësve dhe të pranishmëve tjerë.

Ai tha se tash ka kushte shumë më të mira dhe se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të rrisë përkrahjen për sportin. Kryeministri shtoi se tash të rinjtë mund të realizojnë ëndrrën e tyre, për të luajtur për Kosovën.

“Sporti është një mjet i paqes dhe bashkimit mes njerëzve. Qeveria e Republikës së Kosovës ka investuar në stadiume, palestra e poligone nëpër shkolla e qytete. Ne do të nisim shumë shpejtë të ndërtojmë një stadium modern në Prishtinë.

Sportin shkollor e kemi vendosur si prioritet, pasi përmes kësaj ne ju zhvillojmë juve, talentin tuaj, dhe ne të ardhmen do të kemi edhe më shumë sportistë të dalluar”, tha ai, teksa ka falënderuar dhe përgëzuar organizatat Sporti Pa kufij dhe International Relief and Development dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për këtë projekt.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi e ka vlerësuar këtë projekt si ndër më të rëndësishmit në kuadër të prioritetit të MKRS-së për të avancuar sportin shkollor dhe për masovizimin e sportit në përgjithësi.

Ndërkaq, Estelle Maître, drejtoreshë e Sport Sans Frontières për Kosovë, konsideroi se përmes këtij projekti ka për qëllim që të afrohen njerëzit pa dallim gjinie, race a përkatësie, përmes sportit duke promovuar paqen. “Sporti nuk është vetëm për të luajtur a vetëm për të fituar, por është edhe për të bashkuar njerëz”, tha ajo, duke shtuar se përveç shpërndarjes së topave do të organizohen edhe trajnime e turnirë në futboll.

Kurse Enver Hajredini, kryetar i Federatës së Sportit Shkollor, vlerësoi punën dhe angazhimin për këtë projekt në mbështetje dhe promovim të sportit shkollor. Ai në veçanti falënderoi ministrin Krasniqi për përkushtimin e madh dhe të vazhdueshëm për zhvillimin e sportit. Hajredini tha se federata që ai drejton do të punojë edhe më shumë për më shumë gara dhe sa më cilësore nëpër shkollat e Kosovës.

Ndërsa portieri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Kushtrim Mushica, kujtoi fëmijërinë e tij në shkollë, duke thënë se ka qenë një rrugëtim i vështirë. Ai tha se gjeneratat e reja tani i kanë kushtet e nevojshme dhe ëndrrat e tyre po plotësohen. “Sporti ndikon që fëmijët të ndërtojnë karakterin e tyre sportiv e njerëzor”, tha Mushica.

Projekti në fjalë, përveç shpërndarjes së këtyre topave përfshinë edhe trajnime të ndryshme për sportin nëpër shkolla, si dhe gara në futboll.

Prapa