Prezantohet koncepti kuratorial për pjesëmarrjen e Kosovës në Bienalen e Arit në Venedik

18.03.2024

Një muaj na ndanë nga hapja e e ekspozitës së 60-të Ndërkombëtare të Artit — La Biennale di Venezia, ku Kosova do të prezantohet me ekspozitën “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës”.

Për të prezantuar konceptin kuratorial të projektit sot u mbajt konferencë për media në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Konferencën e hapi Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku i cili foli për rëndësinë e prezantimit të Kosovës në një nga ngjarjet artistike të nivelit më të lartë botëror.

Komisionerja Hana Halilaj tregoi hapësirën ku do te prezantohet instalaconi, ndërsa artistja, Doruntina Kastrati prezantoi konceptin e projektit: \"Në këtë edicion të Bienales së Venecias do të paraqes një instalacion skulpturor me kuratore Erëmirë Krasniqin. Së bashku përqendrohemi te puna e feminizuar, te pasojat fizike të punës dhe te pabarazitë në vendin e punës, duke synuar të sjellim në pah narracionet e grave në margjinat e shoqërisë. Ky projekt ka rrënjët te përvojat e grave që kanë punuar në një fabrikë llokumesh në Prizren, në vendlindjen time” tha ndër të tjera ajo.

Për fund kuratorja Erëmirë Krasniqi në fjalën e saj tha që Pavijoni i Kosovës sivjet përqendrohet jo te lufta, po tek pasojat e saj. Realitetet me të cilat përballen gratë në ekonomitë e parregulluara, të cilat kanë për kapital të vetëm shoqëror dhe ekonomik punën që ofrojnë, kanë shërbyer si pikënisje për artisten dhe janë thelbësore për hulumtimin që informon punën kuratoriale.

Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës nga Doruntina Kastrati me kuratore Erëmirë Krasniqin është përzgjedhur përmes një thirrjeje të hapur nga një juri profesionale e emëruar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Repubikës së Kosovës.

Prapa