Ministri Krasniqi takoi atletin veteran Muhamet Rama

25.09.2012

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim atletin veteran, Muhamet Rama, i cili  në Kampionatin e 21-të Ballkanik për veteran që mbajt me datën 21-23 ne Izmir te Turqisë, theu dy rekorde ballkanike, në disiplinën 800 dhe 1500m. Në 800 metra vrapoi 2:34.20 ku rekordi ishte 2:36.4, e që mbahej nga atleti turk Aziz Londer që nga viti 1992.

Rama në disiplinën 1500metra vrapoi 5:16,12 ku rekordi i mëparshëm u mbajt nga atleti grek Theodosiov Giorgos që nga viti 1999 me kohen 5:22.46. Ministri Krasniqi e ka përgëzuar Ramen për sukseset e shënuara për dhjetë vjet sa merret me atletikë, duke e vlerësuar atë si një shembull shumë të mirë për punë dhe përkushtim të lartë ndaj sportit. Ai përgëzoi edhe Federatën e Atletikes së Kosovës dhe Shoqatën e Atletëve Veteran të Kosovës, për punën dhe rezultat që kanë shënuar në këtë garë por edhe në garat tjera.

Në Izmir kanë marrë pjesë 8 atletë nga Kosova, ku prej tyre i kanë sjellë dy thyerje te rekordeve ballkanike dhe  11 medalje, 2 të arta , 4 të argjenda dhe 5 te bronzta

Ministri tha se MKRS siç edhe ka bërë deri më tash do të vazhdoj të mbështesë sportin e atletikës, për të arritur suksese edhe më të mëdha. Nga ana e tij, atleti Muhamet Rama ka falënderuar ministrin Krasniqi për përkrahjen e vazhdueshme që i ka dhënë atij në çdo garë dhe pas çdo suksesi. Rama tha se ka ende vullnet për t’u marrë me atletikë dhe është një fans i madh edhe i shumë sporteve tjera.

Prapa