Ministri Krasniqi: Vepra e Jusuf dhe Bardhosh Gervallës dhe Kadri Zekës, inspirim për shumë gjenerata

17.01.2012

Në 30 vjetorin e vrasjes së Jusuf dhe Bardhosh Gervallës dhe Kadri Zekës, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z.Memli Krasniqi, ka bërë sot homazhe tek varrezat e vëllezërve Gërvalla, në fshatin Dubovik të Deçanit.

Më ketë rast është bërë edhe vendosja e gurthemelit të kullës së Jusuf Gërvallës, që do të ndërtohet me investim nga ana e MKRS-së.

Ministri Krasniqi, pas homazhe dhe vënies së gurthemelit të Kullës së Jusuf Gërvalles, tha se kjo dëshmon për një respekt dhe përkujdesje të të gjithë popullit për heronjtë.

Ai vlerësoi lartë veprën Jusuf dhe Bardhosh Gërvalles dhe Kadri Zekës, duke thënë se ata kanë qenë dhe janë një shembull për gjenerata të shumta. Kulla e Jusuf Gervallës, tha më tutje ministri, do të jetë një vend inspirimi dhe kujtese për të gjithë popullin shqiptar, për historinë e lavdishme dhe për heronjtë e vet.

Ai premtoi se institucionet, në këtë rast Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do të ketë gjithmonë në angazhimet e veta mbrojtjen dhe promovimin e vlerave kombëtare. Ministri Krasniqi po ashtu shfaqi përkushtimin e tij që në çdo hap të ketë një bashkëpunim me komunat dhe institucionet tjera.

Suzana Gervalla, bashkëshortja e Jusuf Gervallës, tha se ndjehet e lumtur që kjo kullë po ndërtohet dhe shprehi falënderime për mbështetjen që ka dhënë MKRS.

Edhe kryetari i Komunës së Deçanit, z.Rasim Selmanaj, falënderoi ministrin Krasniqi për përkrahjen e dhënë në ndërtimin e kësaj kulle por edhe për projektet e tjera. Përveç homazheve tek varrezat në shënim të 30 vjetorit të vrasjes se Jusuf dhe Bardhosh Gervallës mbahen edhe shumë aktivitete tjera.

Prapa