Kosova dhe Turqia nënshkruajnë Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës

20.12.2017

Republika e Kosovës dhe Republika e Turqisë kanë nënshkruar Marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës. Marrëveshja është nënshkruar sot në Ankara mes Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës, Kujtim Gashi dhe Ministrit të Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, Numan Kurtulmuş.

Të dy vendet, nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar pajtohen që në të ardhmen të bashkëpunojnë në nisma të ndryshme kulturore, në mbështetjen e promovimit të artistëve dhe të performueseve nga të dy vendet, aktivitete të përbashkëta kulturore qoftë në Kosovë apo në Turqi, në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe promovimin e njohurive të ndërsjella të të arritura në fushën e kulturës.

Të dy ministrat e kanë vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm në thëllimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve, për ta çuar në një nivel tjetër bashkëpunimin kulturor, ndonëse kulturat e dy vendeve kanë shumë të përbashkëta për shkak rrethanave historike.

“Bashkëpunimi në shumë aktivitete kulturore mes dy vendeve ka ekzistuar edhe në të kaluarën, por sot është një ditë e veçantë ngase po e zyrtarizojmë bashkëpunimin kulturor. Ky nënshkrim hap rrugën dhe fuqizon atë. Pa dyshim që kjo marrëveshje përfshin bashkëpunimin në të gjitha fushat e kulturës, teatrin, galerinë, pastaj ansamblet që kanë Republika e Kosovës dhe e Turqisë të cilat shpeshherë kanë shkëmbyer aktivitetet e tyre tashmë. Kjo marrëveshje është edhe një bazë e mirë që do të mundësojë jetësimin e shumë marrëveshjeve të veçanta mes institucioneve të kulturës së dy vendeve”, tha ministri Gashi duke e falënderuar homologun turk për pritjen dhe gatishmërinë për të zyrtarizuar këtë marrëveshje.

Ministri Gashi, ndër të tjera, theksoi se marrëdhëniet mes Kosovës e Turqisë janë të mira dhe e falënderoi qeverinë e popullin turk për përkrahjen që kanë dhënë për Kosovën.

Ndërkaq, nga ana e tij Ministri Kurtulmuş u shpreh se ndjehet i lumtur që Kosova e Turqia nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën e kulturës. “Kjo marrëveshje do t’i forcojë lidhjet mes dy shteteve. Kosova, populli i saj, kultura dhe historia e saj janë shumë të afërta me shtetin tonë. Përmes kësaj marrëveshjeje do të rrisim punën e përbashkët edhe mes institucioneve”, tha ministri turk i kulturës.

Në takimin mes dy delegacioneve, u diskutuan edhe një varg çështjet tjera të interesit të përbashkët në fushën e kulturës, për shtimin e aktiviteteve konkrete, siç janë edhe javët e kulturës.

Gjithashtu, Ministri Gashi kërkoi nga homologu turk që të angazhohet për të ndihmuar në anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ku mori përkrahjen e plotë të për të koordinuar veprimet dhe për të lobuar për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë si dhe në organizatat tjera ndërkombëtare.

Marrëveshja që u nënshkrua sot parasheh që palët bien dakord që të mbështesin dhe nxisin bashkëpunimin e drejtpërdrejtë në mes institucioneve kulturore përkatëse që kanë në përgjegjësi fusha si: arkivat kombëtare, bibliotekat, galeritë, muzetë, letërsinë, artet pamore dhe performuese, aktivitete botuese, kinematografinë dhe mediat tjera audio-vizuale.

Këto shkëmbime kulturore, në bazë të marrëveshjes, parashihet që të arrihen përmes ekspozitave të ndryshme, aktiviteteve të ndryshme muzikore, vallëzimit, baletit, shfaqjeve teatrale.

Në fushën e trashëgimisë, palët janë dakorduar për të inkurajuar, ruajtur, mbrojtur e promovuar trashëgiminë kulturore përkatëse në bazë të reciprocitetit, bashkëpunimin të drejtpërdrejtë të agjencive të specializuara për ruajtjen dhe rindërtimin e objekteve të prekshme dhe të paprekshme të trashëgimisë, promovimin dhe respektimin e identitetit kulturor dhe diversitetin, inkurajimin e shkëmbimit të ekspertëve, bashkëpunimin në fushën e trashëgimisë edhe në organizatat ndërkombëtare të specializuara, në të cilat Kosova e Turqia janë anëtare si dhe ndërmarrjen e të gjitha masave parandaluese dhe korrigjuese për importin, eksportin, tranzitin dhe transferimin e paligjshëm të pronësisë së pronës kulturore.

Ndër pikat e marrëveshjes janë edhe dakrodimi për mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta të shtetasve të palës tjetër. Po kështu, bashkëpunimi është rënë dakord që të realizohet edhe në letërsi dhe botime, ku ndër tjera parashihet bashkëpunimi mes shkrimtarëve dhe përkthyesve të veprave letrare dhe shoqatave e organizatave të shkrimtarëve, pjesëmarrja e shkrimtarëve në ngjarjet letrare me karakter ndërkombëtar që ndodhin në vendet respektive, bashkëpunimin e botuesve, bashkëpunimin mes bibliotekave kombëtare të të dy vendeve për shkëmbimin e specialistëve, materialeve informuese, librave dhe botimeve tjera nga fondet e tyre.

Ndërkaq, në fushën e kinematografisë, palët janë pajtuar që të inkurajojnë bashkëpunimin ndërmjet krijuesve të filmit, duke përfshirë edhe bashkëprodhimet filmike si dhe pjesëmarrjen në festivale të ndryshme të filmit.

Në kuadër të angazhimeve të sotshme, ministri Gashi ka vizituar edhe Mauzoleun e Kemaj Pasha Ataturkut, themeluesit të Turqisë moderne, me ç’rast dorëzoi një kurorë dhe u nënshkrua në librin e përkujtimeve. Po ashtu, ministri vizitoi edhe muzeun personal që është themeluar për nder të Ataturkut.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO