“Autobiografia” e Xhevdet Xhafës ekspozohet në Tiranë

15.09.2017

Në kuadër të Kalendarit të Përbashkët Kosovë-Shqipëri, në Tiranë u hap ekspozita e Xhevdet Xhafës “Autobiografia”. Ekspozita vjen si bashkëpunim i Galerisë Së Arteve të Kosovës me Galerinë Kombëtare të Arteve.

Iniciator i ekspozitës është Zeni Ballazhi ndërsa kurator i ekspozitës James Walsmley. Me mbështetje të Drejtoreshës së Galerisë së Arteve të Kosovës, Arta Agani e të Galerisë Kombëtare të Tiranës, Artan Shabani, është bërë e mundur ekspozita në fjalë.

Ekspozita përmban vepra artistike të etapave të ndryshme të krijimtarisë së artistit Xhafa që nga vitet e ’60-ta.

“Unë jam në këto vepra, autobiografia ime, autobiografia kombëtare. Këto vepra janë të hapura të kuptueshme, për të gjithë ata që e duan artin. Jam shprehur për gjithçka që kam pasur afër, rreth e përqark, për luftën për padrejtësinë ndaj popullit”, tha protagonisti Xhafa.

Vlen të përmendet se Xhevdet Xhafa ka qenë pjesëmarrës në shumë ekspozita Ndërkombëtare ku ka fituar mirënjohje të shumta dhe është mirëpritur si artist. Nga ato do të veçohen: Ekspozita kolektive në Rockfeller Gallery në New York, ku veçohen veprat e Xhafës. Ekspozita e arteve bashkëkohore në Wellington/Sidney –Australia ku marrin pjesë shumë artistë me më shumë se 100 piktura, skulptura edhe foto artistike. Ekspozita në Galerinë moderne të arteve bashkëkohore në Romë, pjesëmarrës ishin 60 krijues, Xhafa prapë veçohet në mesin e 11 artistëve dhe ekspozita Alternative a Artit tonë bashkëkohor në Vjenë, Austri ku përsëri artisti cilësohet si shembull i individualitetit tonë në rrafshin e artit bashkëkohor.

Kritiku francez Oskland Strari në analizat e tij vë në spikamë veprat e Xhafës, ndër artistët tjerë, ku thekson se rëndësia e veprave të tilla i tejkalon kufijtë e tij.

Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 14 tetor.

Prapa