Hoti në Konferencën e Ambasadorëve: Mekanizmi për Kulturë instrument i mundshëm i garantuar me ligj për të dyja republikat

22.12.2016

Zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti mori pjesë në Konferencën e katërt të Ambasadorëve e cila po mbahet në Prishtinë që nga data 19 dhjetor.

Duke folur për partneritetin Kosovë-Shqipëri dhe pritjet për vitin 2017, zëvendësministri rreshtoi ngecjet e deritanishme sa i përket bashkëpunimit, qoftë sa i përket mosfunksionimit të duhur të kalendarit të përbashkët kulturor, qoftë edhe kritikave të komunitetit të artistëve rreth ngecjeve në bashkëpunim.

Referuar kësaj, Hoti tha se përpjekjet e dy vendeve duhej të shkriheshin në një angazhim të vetëm, e kjo nëpërmjet krijimit të një ministrie të përbashkët të kulturës, si një trung institucional.

Ai tha se pavarësisht se kjo ide i ka vështirësitë e saj juridike, megjithatë, një gjë e tillë do të mund të realizohej fillimisht në një formë tjetër të bashkëpunimit, nëse i referohemi Ligjit Nr. 42/2016 për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë (neni 13) por edhe ai i Kosovës që lejojnë bashkëpunimin institucional përmes marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara.

Për të qenë ligjërisht korrekt, zëvendësministri propozoi që përmes një marrëveshje në mes të ministrave, të propozohet krijimi i Mekanizmit për Kulturë i përbashkët, që koordinon, përafron dhe bashkërendon politikat kulturore në mes të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë, deri në involvimet e mundshme buxhetore.

“Përveç në stad marrëveshjes, ky mekanizëm do të mund bëhej shumë lehtë edhe kategori ligjore në të dyja shtetet”, u shpreh Hoti.

Një mekanizëm i tillë i përbashkët, sipas zëvendësministrit do të mund të siguronte edhe më shumë qasje në fondet e BE-së për kulturë, marrë për bazë faktin se Industritë kulturore dhe kreative përfaqësojnë rreth 3% të GDP-së globale.

“Natyrisht se formimi i Ministrisë së Kulturës për të dyja shtetet mbetet perspektivë e cila implikon edhe ndryshime Kushtetuese brenda dy shteteve sovrane e unitare, siç është Republika e Kosovës dhe e cila ende do kohë”, tha Hoti.

Zëvendësministri i MKRS-së, Rexhep Hoti, tha se model të ngjashme të ndërtimeve institucionale mund të bëhen edhe në fushat tjera, si në ekonomi, siguri, polici, shëndetësi, arsim etj.

Prapa