MKRS ndau shpërblimet shtetërore për Kelmendin e Kukën

19.08.2016

Në një ceremoni të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ministri Kujtim Shala u ka ndarë shpërblimet shtetërore kampiones olimpike në xhudo në kategorinë 52 kg, Majlinda Kelmendit, dhe trajnerit të saj, Driton Kuka, për medaljen e parë të artë historike që i sollën Republikës së Kosovës. Po ashtu, ministri i ka ndarë shpërblim dhe Nora Gjakovës, për shkak të përmbushjes së normës olimpike.

Shpërblimet janë ndarë në bazë të rregullores për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore në garat ndërkombëtare dhe Kelmendit i janë ndarë 100 mijë euro, trajnerit Kuka 50 mijë respektivisht xhudistes Gjakova 5 mijë euro për normë olimpike.

Ministri Shala u shpreh se ky është një rast historik sepse po ndahet për herë të parë një shpërblim për medalje të artë olimpike për shtetin e Kosovës, duke shtuar se do të vazhdojë të punojë bashkë me federatën e xhudos duke e ndihmuar por duke mos ndërhyrë asnjëherë në punë të organizimit. “Ceremonia dhe çmimet që merrni sot janë meritë e juaja dhe asnjë obligim i yni. Shpresoj dhe besoj qe ky vullnet është shpresa e sportit të Kosovës” tha ministri.

Ndërkaq, kampionia olimpike, Majlinda Kelmendi, shprehu falënderimin e saj për përkrahjen e ministrisë dhe të tërë popullit të Kosovës, duke premtuar që kjo medalje nuk është e vetmja por që do të sjellë edhe medalje tjera për Kosovën. Gjithashtu, xhudistja Kelmendi, mori mirënjohje edhe nga nënkryetari i Ulqinit.

Prapa