Zëvendëskryeministri Shala u takua me Marta Garcia Fidalgo

11.11.2015

Në takimin që u zhvillua sot në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ndërmjet zëvendëskryeministrit Kujtim Shala dhe Marta Garcia Fidalgo, Drejtore e Përgjithshme për Fqinjësi dhe Negociatat e Zgjerimit, u bisedua për punën dhe angazhimet e Komitetit Drejtues Ndërinstitucional për Komunitete Romë, Ashkali dhe Egjiptian, me theks të veçantë te Strategjia dhe Plani i Veprimit për Integrimin e Komunitetit Romë, Ashkali dhe Egjiptian që jetojnë në Kosovë për periudhën 2016-2020.

Marta Garcia Fidalgo u interesua për planet dhe objektivat që ka Komiteti Drejtues dhe institucionet qendrore e lokale në tërësi në Kosovë për komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian dhe përmirësimin e gjendjes së tyre.

Zëvendëskryeministri Kujtim Shala, njëherësh drejtues i këtij komiteti, e falënderoi Marta Garcia Fidalgo për mbështetjen dhe bashkëpunimin. Ai u shpreh se Qeveria e Kosovës, në koordinimin me institucionet e tjera, është e përkushtuara që të përmirësojë gjendjen e këtyre komuniteteve në Kosovë, veçmas duke përkrahur e ndihmuar integrimin e tyre në jetën sociale dhe institucionale të Kosovës.

Zëvendëskryeministri Shala e informoi znj. Fidalgo lidhur me ecurinë e Strategjisë për Komunitet RAE. Ai u shpreh se kjo strategji fokusohet në disa pika kyçe që lidhen me përmirësimin e pozitës së këtyre në arsim, shëndetësi, mirëqenie sociale dhe vendbanim.

Përfaqësuesja Marta Garcia Fidalgo e falënderoi zëvendëskryeministrin Shala për punën që po bënë si drejtues i Komitetit Drejtues Ndërministror, dhe po ashtu shprehu mbështetjen e saj dhe të institucionit që drejton për të ndihmuar Kosovën në procesin e përmirësimit të pozitës së këtyre komuniteteve në shoqërinë kosovare.

Prapa