Memli Krasniqi: Prioritetet e mia në kulturë

20.01.2012

Intervistë për revisten “Flatra” :
Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, na jep një panoramë më të qartë rreth sfidave dhe sukseseve që e kanë karakterizuar këtë hark kohor kulturën dhe artin në Kosovë.

Intervistoi: Brunilda Merko


Në këtë fundvit, kur secili prej nesh bën bilancin personal, kultura nuk duhet të mbetet mbrapa, si një nga hallkat kryesore të një shteti. Një panoramë të përgjithshme të asaj çfarë ka ndodhur pothuajse të një harku një vjeçar me kulturën e artin në Kosovë, na i sjellë vet ministri i Kulturës, Memli Krasniqi. Në këtë intervistë, ministri Krasniqi flet hapur për sfidat reale të institucionet që drejton, arritjet dhe raportet ministër-artist...

Z.Krasniqi, ju thuajse keni një vit që kur keni ardhur në këtë post, a mund të na tregoni disa prej sfidave që jeni përballur?

M.Krasniqi: Sfidat janë të shumta dhe do të ishte mirë sikur të ishin vetëm disa, por ne nuk e kemi pasur fatin e mirë të merrmi vetëm me disa, por na është dashur të merremi me shumë të grumbulluara në vite dhe të përpiqemi t’i adresojmë disa në të njëjtën kohë. Por për mua personalisht, sfida më e madhe dhe më emergjente, ka qenë rregullimi i statusit juridik në institucionet e kulturës, pra krijueseve dhe përformuesve në institucionet e kulturës. Dhe ndjehem jashtëzakonisht i kënaqur që brenda 100 ditëve të para të realizojmë një gjë të tillë dhe ata njerëz të kenë kontrata të rregullta dhe rroga dinjitoze. Kjo ka qenë një sfidë e madhe që i ka përcjellë disa ministra para meje dhe që nuk ishte i zgjidhur deri në atë moment.

Sfidë tjetër ka qenë edhe buxheti në këtë ministri që përkundër faktit që ka qenë më i madh këtë vit, dhe që vitin tjetër do te jetë edhe më i madh ende nuk është i mjaftueshëm karshi kërkesave dhe nevojave reale që ekzistojnë.

E treta, është konsolidimi i institucioneve të kulturës në kuptimin financiar por edhe në kuptimin profesional përmes plotësimit me numrin e nevojshëm të ekspertëve apo profesionisteve në varësi të institucioneve.

Ju keni qenë i njohur edhe më parë me çështjen e artefakteve që ndodhen në Serbi, ende Beogradi vendos për kthimin e tyre ose jo në vendin tonë?

M.Krasniqi: Fatkeqësisht e vërteta është se Beogradi zyrtar i ka grabitur ato artefakte dhe i ka në posedim dhe është e dëshmuar se atje nuk ka një qasje racionale as njerëzore për sa i përket këtyre çështjeve. Dhe fatkeqësisht është e vërtet se tashmë varet nga vullneti i tyre për t’i kthyer këto artefakte. Ne i kemi përfshirë këtë çështje por edhe të tjera edhe në kuadër të bisedimeve teknike, dhe që shpresojmë se gjatë muajve të ardhshme edhe këto tema do të diskutohen.

Dikur një projekt që u fol shumë nga ministrat, Teatri i Operës dhe Baletit, ka ngecur te gurthemeli. Ju çfarë do të bëni në lidhje me këtë projekt?

M.Krasniqi: Realisht tashmë që unë e di saktë ky ka qenë një projekt që asnjëherë nuk është trajtuar me seriozitet nga askush që ka qenë në këtë Ministri. Që janë shpenzuar mjete për këtë projekt, edhe për të hapur një gropë të madhe për themelet e kësaj ndërtese dhe absolutisht asgjë nuk është bërë. Nuk ka një racionalitet as financiar, as ekonomik dhe as artistik sesi duhet të realizohet dhe të jetë i qëndrueshëm ky objekt. Është jashtëzakonisht i rëndësishëm si projekt dhe i nevojshëm, por fakti është se projekti ekzistues i cili pas ndryshimeve të vazhdueshme nga kabinete të caktuara të mëhershme në ministri, kap shifrën e mbi 30 milionë euro. Derisa planifikimet buxhetore që unë kam gjetur janë të përafërta me 1 milion euro në vit, që realisht do të thotë se me një ritëm të tillë i duhen 30 vite për të përfunduar. Që është një absurd i madh se nëse do të bëhej kështu themelet do të ishin 30 vjet më të vjetra sesa kulmi. Ne kemi marr raportin e rivendimit, dhe aty janë gjetur problemeve serioze në çdo fazë të projektit. Andaj ne jemi në fazën ku po analizojmë çka dhe si duhet ta trajtojmë këtë çështje. Pasi nuk dua të bëj si homologët e kaluar që ta projektojmë për çdo vit në buxhet e në fund të vitit ti destinojmë ato mjete diku tjetër. Do ngremë një komision të ekspertëve që do na japin mendim rreth këtij projekti. Fakti që raporti i rivendimit thotë që të mos vazhdohet me këtë projekt kështu si është ne na lë mundësinë ose të ripunimit thelbësor të projektit ose rishpallim një konkurs ndërkombëtar për një projekt cilësor e i realizueshëm.

A monitorohet cilësia e projekteve kulturore gjatë realizimit të tyre, ato që financon Ministria e Kulturës?

M.Krasniqi: Mënyra sesi përzgjidhen projektet që konkurrojnë në Ministrinë e Kulturës është nëpërmjet një konkursi publik të hapur ku konkurrojnë me qindra projekte dhe që zyrtarët e Departamentit të Kulturës bëjnë vlerësimin dhe arsyeshmërinë për masën e caktuar financiare që mund të mbështeten. Raportet e ministrisë dhe krijimtarisë së krijueseve mendoj se ne duhet të shërbejmë si mbështetës, lehtësues që ata të mund të realizojnë idetë e tyre dhe në asnjë mënyrë si ka qenë dikur në një sistem të tjetër ku ministritë vendosnin se çfarë është art dhe çfarë nuk është. Prandaj ato projekte që fitojnë mbështetjen tonë financiare kalojnë në disa faza, dhe kanë vlera ose jo, është publiku, tregu që vendos për këtë.

Raporti ministër-artist, ju të themi keni qenë në të dyja anët e medaljes, mund të na tregoni më shumë rreth kësaj përvoje?

M.Krasniqi: Unë jam ndjerë jashtëzakonisht mirë si këngëtar, kam pasur një karrierë me të cilën mburrem dhe që jam ndarë tepër mirë. Ajo që ka qenë më e rëndësishme është se nëpërmjet karrierës sime muzikore kam komunikuar drejtpërdrejt me publikun, jo vetëm në Kosovë, por në Shqipëri, Maqedoni kudo në viset me shqiptarë. Ka qenë një angazhim i imi publik, por dhe politik se pothuajse të gjitha këngët tona kanë trajtuar tema sociale e politike. E ne përmes muzikës jemi përpjekur të dërgojmë mesazhe që ishin dhe politike. Ndërsa raporti im me artistët është i njëjtë, përveçse unë ndjej një përgjegjësi edhe më të madhe, shumicën prej tyre pavarësisht disiplinave që u takojnë, unë i kam njohur, i kam pasur miq dhe ende i kam, pavarësisht gjeneratave. Fakti që unë tani jam ministër i Kulturës, që ndërlidhet edhe me veprimtarinë e tyre mua më bën më të përgjegjshëm karshi tyre, por besoj, edhe fakti që unë kam qenë artist, më ka bërë më të përgatitur për ti dëgjuar ata, për ti kuptuar edhe adresuar kërkesa dhe nevojat e tyre.

Megjithatë a e mendoni rikthimi në muzikë? 

M.Krasniqi: Unë nuk besoj që ndonjëherë do t’i kthehem muzikës në mënyrë aktive si jam marr në të kaluarën por muzika ka qenë, është dhe do të mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Për atë që jam i bindur qoftë edhe për veten do të bëjmë këngë të reja edhe nëse ato nuk publikohen. Ka 5 vite që unë dhe Arbëri incizojmë në studio por që asnjëherë nuk e kemi finalizuar. Asnjëherë nuk do të heq dorë nga muzika, por nuk do të bëhet fjalë për rikthim.

Prapa