Në çdo kohë afër sportit

11.01.2012

Cilat ishin sukseset e sportit kosovar në vitin 2011, me cilat probleme u përball sporti kosovar gjatë këtij viti dhe çka pritet nga 2012-ta? Për të gjitha këto çështje, në një intervistë për “Lajm” foli ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, i cili, ndryshe nga paraardhësit e tij, ishte gjithnjë në dispozicion të sportit dhe sportistëve, të cilët e ndienin nevojën për përkrahje

Musa PROKSHI
Lavdim PIREVA


Prishtinë – Për herë të parë sporti kosovar e ka ndier dorën e shtetit, pikërisht në vitin e 12 pas luftës. Kjo, pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, në kryer me ministrin Memli Krasniqi, kanë qenë gjatë tërë vitit afër sportistëve, të cilët e kanë ndier nevojën për përkrahje.

Kështu, para disa muajve, kur krenaria e sportit kosovar, Majlinda Kelmendi, po mahniste botën sportive me aftësitë e saj dhe kishte oferta marramendëse që të përfaqësonte shtetet tjera në gara ndërkombëtare, ishte pikërisht ministri Krasniqi, i cili në bashkëpunim me biznese private, arritën që të pajtohen që kurrsesi Majlinda të mos prezantohet nën ndonjë flamur tjetër, por vetëm të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, si asnjëherë më parë, këtë vit janë anëtarësuar edhe tri federata të Kosovës me të drejta të plota dhe disa të tjera me të drejta të kufizuara.

Të gjitha këto, si dhe sukseset që pritet të shënohen në të ardhmen, i shpalosi gjatë një interviste për “Lajm”, ministri i MKRS-së, Memli Krasniqi.
 
“Lajm”: Si e vlerësoni ecurinë e sportit kosovar përgjatë vitit 2011?

Krasniqi: Padyshim që edhe këtë vit ka pasur sfida të shumta, por mendoj se në shumë aspekte ka pasur zhvillime pozitive. Do të veçoja këtu rritjen e konkurrencës në gara, sidomos në sportin më të popullarizuar, futbollin. Infrastruktura vazhdon të mos jetë e mirë, por ne kemi bërë përpjekje gjatë këtij viti që të bëjmë investime përmes buxhetit tonë dhe thithjes së donacioneve, në mënyrë që të ndryshohet gjendja. Kemi punuar mjaft që ta plotësojmë mungesën e infrastrukturës ligjore po ashtu, e që tashmë jemi në finalizim. Ligji për Sport veç është miratuar, ndërkaq ai për Sponsorizim edhe Donacione pritet që në muajt e parë të vitit 2012 të jetë i gatshëm për miratim. Edhe sa i përket ndërkombëtarizimit, është punuar më shumë se çdo vit tjetër dhe janë arritur suksese, ku kemi pasur disa federata që kanë arritur të anëtarësohen me të drejta të plota e me disa të kufizuara. Viti 2011 padyshim që do të mbahet mend edhe për shumë suksese të sportistëve tanë në garat ndërkombëtare. Në këtë drejtim jeni të vetëdijshëm, besoj se ka edhe shumë pengesa politike, por gjendja nuk do të jetë gjithmonë kështu dhe kam besim se ne do të kemi sportistët tanë në Lojërat Olimpike “Londra 2012” dhe do të jemi pjesë e çdo garë ndërkombëtare, natyrisht të barabartë me çdo shtet.

“Lajm”: Si i vlerësoni sukseset e Majlinda Kelmendit, dhe a do mund të marrë pjesë në Olimpiadë, pasi që ka arritur pikët olimpike për pjesëmarrje, gjithnjë si sportiste që garon nën flamurin e Republikës së Kosovës?

Krasniqi: Kosova ka shumë sportistë të dalluar dhe me mjaft vullnet për punë dhe suksese. Dhe unë çdoherë jam i gatshëm që të jem krah i tyre në çdo rrugëtim. Por, Majlinda Kelmendi vlerësoj se është një shembull shumë i mirë se si edhe në kohëra jo të mira, punohet me aq përkushtim dhe ku sukseset janë jashtëzakonisht të mira. Majlinda është krenaria dhe shpresa jonë dhe jam vërtet i nderuar që kam rastin ta përkrah atë. Ajo ka pasur momente të dilemës një vjet më parë, kur kishte marrë oferta për përfaqësim të shteteve tjera, por me dëshirën dhe vullnetin e saj dhe tonin, kemi arritur që të krijojmë kushtet e nevojshme. Majlinda është një ambasador shumë i fuqishëm i Kosovës dhe besoj se keni parë vëmendjen që kanë treguar media të fuqishme botërore rreth karrierës dhe vështirësive që përballet ajo. Unë kam besim se ajo do të jetë në “Londra 2012” dhe do të arrijë suksese të mëdha. E rëndësishme në këto momente është që të kemi sportistët tanë në këto lojëra, pastaj medaljet janë në plan të dytë.

“Lajm”: A do të ketë lobime të reja për pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Olimpiadë, por edhe në garat e tjera?

Krasniqi: Siç e thash, ne po punojmë shumë në këtë drejtim, por besoj që secili i kuptojmë vështirësinë që paraqet ndikimi politik në këtë rrafsh, pasi siç e dimë, Serbia dhe Rusia kanë fuqi të madhe në Komitetin Olimpik dhe federatat e sporteve të popullarizuara, futbollit dhe basketbollit. Ka progres në këtë aspekt gjithsesi, pasi kërkesat tona shqyrtohen seriozisht dhe unë besoj që shumë shpejt ne do të jemi të barabartë me shtetet tjera. Një element shumë i rëndësishëm është që ne, krahas punës në ndërkombëtarizim, të punojmë shumë edhe në përmirësimin e gjendjes brenda, si në infrastrukturë dhe zhvillim të garave.

“Lajm”: Sipas jush, kur pritet që Kosova të prezantohet si e barabartë me shtetet tjera në garat ndërkombëtare?

Krasniqi: Është vështirë të thuhet një moment i saktë për këtë, pasi nuk varet e gjitha prej nesh. Janë arsyet që i përmenda më lartë që po e zvarrisin shumë këtë proces. Por unë kam besim se shumë shpejt këto pengesa do të tejkalohen. Shpresoj dhe besoj se viti 2012 do të jetë një vit i mbarë për ne në këtë drejtim. Vizitat e legjendave të futbollit, si Franc Bekenbauer dhe Franco Baresi gjatë këtij vitit në Kosovë, padyshim janë një motiv shtesë për ne dhe dëshmojnë se komuniteti sportiv botëror ka rritur vëmendjen për Kosovën dhe janë të gatshëm të na ndihmojnë.

“Lajm”: A i plotëson kushtet Kosova, si në infrastrukturë, por edhe në lëmitë tjera, që të garojë në arenën ndërkombëtare dhe ai keni ndonjë projekt për zhvillimin e infrastrukturës sportive?

Krasniqi: Realisht infrastruktura nuk është e mirë. Ne gjatë këtij viti kemi vazhduar me investime në ndërtimin dhe rinovimin e disa palestrave dhe poligoneve sportive, rinovim të stadiumeve dhe investime në aspekte të tjera të kësaj natyre. Këtë vit, siç edhe është e ditur tashmë, për herë të parë Kosova ka siguruar një fond milionësh për ndërtimin e gjashtë stadiumeve ndihmëse në futboll. Është një hap i madh do të thosha, pasi ndërtimi i këtyre stadiumeve do të shtojë motivin te sportistet, do të rrisë cilësinë e lojës e po ashtu krijon mundësitë që terrenet sportive për lojëra zyrtare të kenë një gjendje më të mirë. Këto stadiume do të ndërtohen me standardet më të larta në Gjilan, Ferizaj, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë dhe Drenas. Është një fond që ne si MKRS, e kemi përfituar nga Komisioni Evropian. Ndërtimi i tyre pritet të fillojë në pranverën e vitit 2012 dhe të përfundojë diku nga vjeshta e po atij viti.

“Lajm”: A mendoni që viti 2012 do të jetë viti ku Kosova do t’i fitojë të drejtat për të garuar në gara, si të gjitha shtetet e tjera?

Krasniqi: Përkushtimi ynë për të përmirësuar gjendjen në infrastrukturë dhe organizim, si dhe lobimi i pandalshëm për ndërkombëtarizim të sportit tonë, do të jenë shtylla të angazhimit tim konstant. E përsëris se unë besoj se shumë shpejt, ne do të jemi të barabartë me shtetet tjera dhe padyshim që do të kemi prezantime të suksesshme në garat ndërkombëtare.

Prapa