Fjalimi i Ministrit Krasniqi ne ceremonine solemne te ndarjes se Cmimeve per Kinematografi

02.06.2013

E nderuara familje Fehmiu,

Zonja Branka Petric,

Të nderuara familje Begolli dhe Hysaj, Ujkan,

Juri e nderuar, regjisorë, aktorë, skenaristë e producentë,

Zonja dhe zotërinj,

Në shumë intervista për medie të ndryshme, Bekim Fehmiu e kishte thënë disa herë që me punën e tij kishte dashur që të ndryshoj njerëzit. Ai e ka arritur këtë. Dhe këtë më së miri e dimë ne këtu në Kosovë, por do të thosha edhe të tjerët në gjithë hapësirën ballkanike.

Bekim Fehmiu ka ndryshuar shumëçka në botëkuptimet tona. Ai na e ka sjellë pjesën e bukur të botës, të kësaj jete, na ka rrëfyer për lirinë, për dashurinë dhe për pasionin e fortë për artin, filmin, madje edhe për sportin. Bekim Fehmiu nuk është vetëm ikona e kinematografisë së Ballkanit.

Ai është një nga njerëzit e rrallë që, duke mbrojtur identitetin e vet, popujve në këtë pjesë të Evropës ua ka sjellë njeriun e lirë, njeriun universal.

E vendit të tij, Kosovës, Bekim Fehmiu i  fali emrin, i solli plot miq, dhe për me tepër, një aktor model, rreth të cilit ne kemi edukuar e do të edukojmë gjenerata të tëra të artistëve.

Personaliteti i tij dhe gjithë karriera e tij është e jashtëzakonshme.

Të gjithë ne kemi parë që fëmijë e të rinj filmat e tij dhe ai gjithmonë na ka mahnitur me aktrimin e tij magjik.

Nëse një pjesë e madhe e aktorëve, anembanë botës, kanë qenë dhe janë material për faqet rozë të gazetave, Bekimi ka qenë ndryshe. Ai vërtetë, duhet thënë sinqerisht, ka qenë dhe mbetet një nga aktorët intelektual.

Ndaj sot, është nder për mua, që të jem nikoqir i një takimi si ky, që besoj ne duhet ta shohim si një festë. Ka qenë ndër përkushtimet e mia themelore në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e Kinematografisë t’ia lëmë emrin e Bekim Fehmiut, dhe mbi të gjitha duke e institucionalizuar këtë çmim siç i ka hije, e në frymë të kësaj edhe Çmimin Vjetor për Kinematografi.

Themelimi i këtyre çmimeve në mënyrë institucionale këtë vit, mendoj se përben një hap meritor që ne bëjmë për ta nderuar figurën e Bekim Fehmiut. Ne i kemi borxh atij, dhe shoqëria jonë, institucionet tona dhe komuniteti artistik, duhet që emrin e tij, gjithë atë trashëgimi që na e ka lënë, ta nderojmë çdo ditë. Pa dyshim, s’kishte datë më të mirë për të ndarë këto Çmime se sa vet data e lindjes së Bekimit, që tash e mbas, shpresoj do të festohet gjithmonë duke nderuar emrin e tij, por edhe të atyre që do të laureohen me këto Çmime.

Zonja dhe zotërinj,

Shpesh nga dinamika e jetës, nga angazhimet dhe sfidat që na dalin, sikur harrojmë për një moment të kujtojmë se mes nesh nuk jetojnë më personalitete të rëndësishme, disa prej të cilëve jemi vonuar që t’i nderojmë për punën e tyre.

Një nga ta është edhe Faruk Begolli. Bekim Fehmiu e kishte mik. Kishte fjalët më të mira për të. E kush nuk fliste me shumë dashuri për të. Kushdo që është pak i informuar, e më së shumti studentët e tij, dëshmojnë më së miri se gjithë skena e filmit dhe e teatrit e ndërtuar këtu në Kosovë në 20-30 vitet e fundit, më së miri identifikohet me një emër, me Faruk Begollin.

Njeriun që ngriti Akademinë e Arteve këtu në Kosovë. Njeriun ndoshta më pasionant për artin, pedagogun më të dashur për shumë gjenerata aktorësh që ka sot Kosova. Faruk Begolli, ishte dhe do të mbetet i veçantë për mënyrën se si jetoi e punoi. Ndoshta pashmangshëm është njeriu i parë që, më respektin dhe mirënjohjen më të madhe, ia ndajmë sot Çmimin Kombëtar për Vepër Jetësore në Kinematografi ‘Bekim Fehmiu’. Andaj, ky eveniment sot, vërtetë është një mishërim i dy emrave ikonë për kulturën tonë, për artin tonë, për vet identitetin tonë.

Të nderuar të pranishëm,

Në rrugëtimin tonë jo të lehtë në fushën e kinematografisë, ne po krijojmë gjenerata të reja që po shënojnë sukses në arenën ndërkombëtare. Dhe me vjen mirë që tashmë edhe shteti ynë i ri, ka krijuar bazën e nevojshme që puna e tyre të vlerësohet dhe të shpërblehet. Dhe jo vetëm në kinematografi, por edhe në teatër, muzikë, letërsi dhe në arte të tjera.

Duke shprehur respektin më të lartë për punën e secilit prej jush, rikonfirmoj përkushtimin tim si ministër, që të shtojmë, bashkërisht dhe sa më shumë, përpjekjet për të përkrahur krijimtarinë tuaj dhe promovimin e saj këtu dhe në mbarë botën dhe që ju të veproni si artistë të lirë ashtu siç vepruan Bekim Fehmiu e Faruk Begolli.

Ju Faleminderit!

Prapa

KOSOVO IN UNESCO