FJALIMI I MINISTRIT KRASNIQI NË AKADEMINË SOLEMNE KUSHTUAR HASAN PRISHTINES

28.11.2011

28.11. 1011 – Salla e Kuqe, Universiteti i Prishtinës
 
E nderuara presidente znj. Jahjaga,
I nderuar kryetar i Kuvendit, z.Krasniqi
E nderuara familje Jashari dhe Berisha,
I nderuar Ministër. z. Buja,
I nderuar Rektor, z. Rugova,
Të nderuar Profesorë e studentë,


Dita e sotme, e kësaj date të shënuar historike, e 99 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, e 14-vjetorit të daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe e ditëlindjes së 56 të Komandantit Legjendar Adem Jasharit, është dita kur në kryeqytetin e Republikës sonë po rikthehet si banor i përjetësisë së këtij qyteti, një prej figurave më  të mëdha të  historisë sonë – Hasan Prishtina, që me veprën dhe emrin e tij, i dha nderin dhe krenarinë, jo vetëm  këtij qyteti, por gjithë kombit tonë.

Shi për këtë, kjo ditë e shënuar, e 28 nëntorit të vitit 2011, po shndërrohet në një ditë të domethënies dhe kujtesës, jo vetëm për kryeqytetasit e Kosovës, por për të gjithë shqiptarët, ngase, zbulimi i shtatores së Hasan Prishtinës, këtu,  para godinës së Rektoratit të Universitetit të qytetit, emrin e të cilit ai e barti përjetësisht si shenjë të identitetit dhe të krenarisë së tij, në fakt, del të jetë më shumë se një akt, apo edhe më shumë se një çast  i kujtimit për njërën prej figurave më të rëndësishme të historisë së kombit tonë, si dhe njërit prej përfaqësuesve më të denjë të atdhetarizmës shqiptare.

Hasan Prishtina është emër gjigant i historisë dhe kulturës sonë,  i cili, edhe pse jetoi dhe veproi, të thuash para një shekulli, megjithatë vazhdon të jetë  një emblemë e filozofisë politike mbarëshqiptare, njeri, i cili, edhe pse kontributin e tij madhor për lirinë dhe pavarësinë e dha kaq shumë dekada më parë, megjithatë, në një kuptim apo tjetrin, mund të perceptohet edhe si bashkëkohanik yni, ngase, një numër i madh çështjesh  që e kanë tunduar atë në jetë dhe me të cilat është marrë, si dhe, të gjitha idetë, konceptet dhe projektet e tija politike, të cilat i ka zbërthyer dhe mbi të cilat e ka ndërtuar edhe veprimtarinë e tij janë çështje akute, që vlejnë edhe sot e kësaj dite duke shpërfaqur përpara sfidat për elitat politike shqiptare kudo që ato veprojnë.

Në fakt, është  kjo figurë e Hasan Prishtinës, ajo, e cila, në mënyrën më të qartë dhe më të mirë, e ka qartësuar se si është  e mundshme që të jemi edhe evropian edhe përfaqësues të kombit tonë pa krijuar konflikt brenda përpjekjeve tona për të ecur andej nga synojmë si qytetar të kontinentit të vjetër.

Dhe, është ky shembull i një rëndësie të madhe për të gjithë ne, që jetojmë brenda cilësdo kornizë politike kombëtare, e mbi të gjitha,  brenda kornizës kulturore shqiptare, ngase, janë  pikërisht të frymëzueshme jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës, e kësaj figure, mbase, qendrore, që e krijoi platformën e shtetit shqiptar duke u shndërruar në figurat e pakta politike kombëtare, i cili, përkundër fundit që e përjetoi, megjithatë, më së paku në historinë e shekullit njëzet, i përçau shqiptarët e prirë për t’u grindur politikisht.

Kjo ka të bëjë, para së gjithash me veprimtarinë e tij frymëzuese dhe të pashoq. Me personalitetin e tij të rrallë si dhe me konceptet e qarta politike që i bartte gjithandej duke i ngjeshur ato brenda një racionalizmi të jashtëzakonshëm të cilin, Hasan Prishtina  e mori si themel të programit politik tij, të cilin e ndoqi deri në fund, duke e ndërlidhur gjithmonë me nevojat praktike të popullit të cilit iu përkushtua qenësisht.
Kjo, ngase, Hasan Prishtina ishte patriot e demokrat. Ishte edhe një  revolucionar i shquar që luftoi për lirinë e pavarësinë e Atdheut. Ishte edhe një pionier për demokratizimin e jetës së vendit. Ishte politikani dhe atdhetari i cili, gjithë jetën e tij ia përkushtoi një qëllimi: pavarësimit të Shqipërisë dhe çlirimit e Kosovës nga Serbia. Ndaj dhe, ja përse, thjeshtë, sot, edhe mund ta perceptojmë si një bashkëkohanik tonin politik dhe kombëtar.

Dhe të gjithë sot, jemi të nderuar që në këtë ditë të shënuar, Hasan Prishtina u rikthye në Prishtinë. Me këtë shtatore, në mënyrën më simbolike të mundshme, kryeqytetit të Republikës së Kosovës, iu shtua edhe një qytetar i shquar. Një prej më të shquarve që kishte dhe që do ta ketë ky qytet. Politikani, diplomati dhe atdhetari, i kthyer në bronz, jeta dhe vepra e të cilit ishte dhe do të vazhdojë të jetë frymëzim për dije dhe shkëmbim dijesh brez pas brezi. Frymëzim për sakrificë, vizion dhe atdhedashuri, ashtu siç jetoi dhe veproi, deri në fund, ky kolos i historisë dhe kulturës shqiptare – Hasan Prishtina.

Prapa

KOSOVO IN UNESCO