Në Gjonaj të Hasit po mbahet Festivali folklorik “Hasi Jehon 2024”, edicioni i 35-të

04.05.2024

Për disa dekada ky festival mbetet vendtakim kulturor e artistik i shoqërive kulturore e artistike nga trojet shqiptare, duke sjell kështu para publikut trashëgiminë e pasur kulturore folklorike që kemi.

Çdo vit sjellin program të pasur artistik kulturor. Meloditë muzikore tradicionale, veshjet, këngët e vallet nga të gjitha trojet shqiptare e karakterizojnë festivalin.

Në hapje mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, përfaqësues të shoqërive kulturo-artistike nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali Zi, nga mërgata dhe artdashës.

Kryeministri në fjalën e tij hapëse u shpreh se “Hasi Jehon” ka sfiduar vështirësitë dhe është forcuar nga aspekti i cilësisë, duke bërë kështu që ta marrë epitetin e një prej festivaleve më të rëndësishme të folklorit burimor të trojeve ku jetojnë shqiptarët.

Teksa foli për ngritjen e kapaciteteve për mbështetjet financiare nga ana e Qeverisë së Kosovës, dhe Ministrisë së Kulturës ai premtoi përkrahje në mënyrë të vazhdueshme për ansamblet, projektet e veçanta, studimet, botimet e aktivitetet e ndryshme në të gjithë Kosovën, në nivelin qendror dhe atë lokal.

Festivali “Hasi Jehon 2024” është përkrahur nga Ministria e Kulturës ndërsa sonte është dita përmbyllëse e tij.

Prapa