Kosova e meriton anëtarësimin në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale

28.04.2014

Kosova i plotëson kriteret për anëtarësim në Organizatën Botërore të Pronësisë Intelektuale dhe kjo duhet të ndodh, pasi nuk është vetëm një e drejtë por edhe një domosdoshmëri për e avancimin mbrojtjes së pronësisë intelektuale në vendin tonë.

Kështu tha sot Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi në konferencën “Sistemi i Pronësisë Intelektuale në Kosovë – të arriturat dhe sfidat”, të organizuar nga Agjencia për Pronësi Industriale, Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta në MKRS dhe Projekti i financuar nga BE “Forcimi i Sistemit të Pronësisë Intelektuale në Kosovë”. Në këtë konferencë ka marrë pjesë edhe Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bernard Nikaj, përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale, përfaqësues të policisë, të doganave, krijues dhe afaristë.

Ministri Krasniqi po ashtu ka folur me gjerësisht për të arriturat që janë shënuar në mbrojtjen e të drejtave të autorit në Kosovë. Ai theksoi se është shënuar progres i konsiderueshëm, por pohoi se mbesin ende sfida.

“Është inkurajues fakti se shumë autorë dhe krijues kanë shfrytëzuar legjislacionin dhe janë paraqitur para organeve kompetente dhe kanë iniciuar procedura ligjore për të mbrojtur veprat e tyre. Ndonëse ne nuk dëshirojmë që të kemi keqpërdorim të së drejtës së autorit dhe pronësisë intelektuale, është e rëndësishme që kur ndodhin raste të tilla, edhe vet autorët, krijuesit, shpikësit dhe organizatat përkatëse të ndërmarrin veprime ligjore ashtu që keqpërdoruesit të marrin dënimet sipas ligjit.”, tha Ministri Krasniqi, teksa ka shtuar se për të pasur progres në këto fusha nuk mjaftojnë vetëm institucionet.

“Është vet shoqëria ajo që duhet t’i thotë stop këtyre gjërave. Nëse ne shohim se një film qarkullon pirat ende pa u dhënë premiera, nëse shohim se një libër origjinal kopjohet për qëllime përfitimi në duhet t’i lajmërojmë rastet. E për t’iu përgjigjur në kohë këtyre kërkesave, institucionet përgjegjëse  shtetërore që merren me pronësinë intelektuale, duhet të vazhdojnë punën e tyre në krijimin e një sistemi funksional të të drejtave pronësore intelektuale”, tha ai.

Ministri ka falënderuar të gjithë partnerët vendorë e ndërkombëtarë që kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë këtë segment.

Nga ana tjetër  ministri Bernard Nikaj, ka theksuar se Kosova ka shënuar progres të madh të mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

“Njëra ndër sfidat që ballafaqohemi si shtet është që të sigurojmë një ambient biznesor, i cili është i përshtatshëm edhe për ndërmarrësit dhe krijuesit vendorë, por edhe për tërheqjen e investimeve nga kudo që janë nga jashtë. Kur është fjala për novatorët, ndërmarrësit dhe bizneset vendore, mbrojtja e ideve, mbrojtja e markave apo mbrojtja e patentave të tyre është kyçe që ne të nxisim dhe të ofrojmë incentiva krijuesve tanë dhe bizneseve tona që dalin me produkte dhe ide të reja, të cilat i shtojnë vlerën jo vetëm ekonomisë tonë por edhe të depërtojnë në vendet tjera të rajonit dhe më gjerë”, potencoi Nikaj.

Ai gjithashtu shtoi se kur është fjala për investitorët e huaj është kritike që ne të jemi në gjendje t’u  garantojmë këtyre investitorëve që produktet dhe shërbimet, që ata i prodhojnë, i zhvillojnë dhe i tregtojnë në Kosovë dhe më gjerë janë të mbrojtura sipas legjislacionit modern dhe sa më evropian.

Prapa