117 instrumente donacion nga Japonia iu dorëzuan solemnisht Filarmonisë së Kosovës

19.03.2014

Filarmonia e Kosovës në fondin e vet për orkestrën e saj, tash ka edhe 117 instrumente muzikore. Në një ceremoni organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), në Teatrin Kombëtar të Kosovës, u bë sot pranimi i këtyre instrumenteve të cilat janë dhuruar nga Qeveria e Japonisë, përmes Agjencisë Japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), Zyra e Balkanit.

Në ceremoninë e pranimit, ishin prezent Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, Ambasadori i Japonisë në Austri, Makoto Taketoshi, Ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, si dhe përfaqësuesi rezident i JICA-s, Zyra e Ballkanit, Toshya Abe.

Ministri Memli Krasniqi, në cilësinë e nikoqirit, u shpreh se dy popujt, i Kosovës dhe Japonisë, edhe pse në distancë gjeografike, por në rrethana të vështira apo lumturie kanë bashkëndjerë ato të cilat kanë kaluar, doke konsideruar se edhe kjo ceremoni është një shenjë e mirë e bashkëpunimit mes dy popujve, ku edhe falënderoi Qeverinë dhe popullin e Japonisë për ndihmën.

“Këto 117 instrumente nuk janë thjeshtë një donacion. Janë një pasuri me shumë vlerë do të thosha dhe që sjellin tinguj të ri në kulturën e Kosovës, që dita ditës po zhvillohet dhe po promovohet në skenat botërore”, tha ministri Krasniqi.

Ai gjithashtu premtoi se MKRS-ja do të punojë edhe më shumë në të ardhmen në përmirësimin e kushteve të punës për Filarmoninë e Kosovës dhe i uroi instrumentistët për punë dhe koncerte edhe më të suksesshme, pa harruar edhe shtimin e shkëmbimit të artistëve dhe përvojave mes institucioneve kulturore.

Ndërkaq, Ambasadori i Japonisë në Austri, Makoto Taketoshi, u shpreh i kënaqur që është prezent në këtë ceremoni të dorëzimit të instrumenteve të reja muzikore për Filarmoninë e Kosovës. Ai tregoi për kujtimet e tërmetit të vitit 2011 i cili kishte goditur Japoninë, kur populli japonez ndjehej i pashpresë dhe bashkësia ndërkombëtare solidarizohej me ta.

“Ne kurrë nuk do ta harrojmë që Filarmonia e Kosovës i një populli të pjesës tjetër të globit u solidarizua me popullin japonez duke mbajtur koncert memorial për ne”, tha ambasadori Taketoshi, duke potencuar se Kosova si një vend i ri po avancon në zhvillimin e tij duke ndërtuar raporte të mira me fqinjët duke kontribuar kështu në avancimin edhe të Ballkanit Perëndimor.

Ai premtoi se Japonia do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përpjekjet për të ndërtuar të ardhmen e saj.

Kurse ministrja Vlora Çitaku u shpreh e emocionuar për këtë projekt altruist dhe e uroi Filarmoninë e Kosovës për instrumentet e reja. Ajo gjithashtu shprehu mirënjohjen për Qeverinë e Japonisë për ndihmën e dhënë.

E Toshiya Abe, përfaqësues i JICA për Ballkanin, uroi për arritjen e instrumenteve të reja dhe konsideroi se kjo ndihmë për Filarmoninë e Kosovës është e veçantë ngase po bëhen 5 vite të bashkëpunimit.

“Orkestra e Filarmonisë është e mirënjohur në Japoni pasi udhëhiqet nga Toshio Yanagisawa, dhe shpresoj që kjo orkestër të vazhdojë të luajë tinguj që shpërndajnë mesazhin e shpresës dhe paqes”, u shpreh Abe.

Ndërsa, drejtori i Filarmonisë së Kosovës, Baki Jashari, tregoi se Filarmonia që nga themelimi në vitin 2000 veçse është zhvilluar vit pas viti dhe pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe njohjes nga shteti japonez, janë krijuar kushtet për bashkëpunim mes dy vendeve në fushën e Muzikës.

“Instrumentet e reja, donacion voluminoz nga shteti japonez që kap vlerën prej gjysmë milioni euro, bën që Filarmonia e Kosovës të ketë kushte më të mira për punë”, tha Jashari, ku shprehu falënderimin dhe konsideratën më të lartë për qeverinë dhe popullin japonez.

Në ceremoninë e pranim-dorëzimit të instrumenteve, Filarmonia performoi me disa pjesë muzikore të kompozitorëve, Edvard Grieg, Baki Jashari e Valton Beqiri. 

Prapa