Stadiumi Olimpik ‘Adem Jashari” i gatshëm për ndeshje Kosova vs Haiti

03.03.2014

Stadiumi Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë është gati për ndeshjen e parë miqësore zyrtare ndërkombëtare të Përfaqësueses së Kosovës, përballë Përfaqësueses së Haitit, që do të zhvillohet më 5 mars.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Memli Krasniqi e Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, përuruan sot renovimet në këtë stadium.

Renovimi i këtij stadiumi është bërë me investime të MKRS-së, prej rreth 740 mijë.

Kryeministri Hashim Thaçi e vlerësoi punën që është bërë në rinovimin komplet të stadiumit në bazë të standardeve evropiane. “Jam i impresionuar me punimet që janë bërë në rinovimin komplet me standarde evropiane në stadiumin “Adem Jashari”. Pasnesër do të jetë ndeshja kundër Haitit dhe pres që të jetë një festë e vërtetë”, tha kryeministri.

Ai gjithashtu falënderoi ministrin Memli Krasniqi dhe kryetarin e FFK-së, Fadil Vokrrin, të cilët kanë bërë një punë të madhe drejt ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës dhe theksoi se Vokrri është një figurë kyçe që e njeh e gjithë komuniteti ndërkombëtar.

Ndërkaq premtoi se do të vazhdojë përkrahja dhe investimet në infrastrukturën sportive.

E lidhur me këtë, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi tha se MKRS-ja është e gatshme të investojë edhe në stadiumin e Prishtinës. “Qeveria e Kosovës vazhdimisht ka qenë e interesuar që të investojë në stadiumin e Prishtinës, madje me prioritet. Por pasi pronar i stadiumit është Komuna e Prishtinës, atëherë na duhet një bashkëpunim dhe një bashkë-investim. Edhe kryetarit aktual të Prishtinës, i kemi dërguar kërkesë dhe presim në javët në vazhdim të marrim përgjigje dhe të fillojmë rinovimin bashkërisht, me një plan të ngjashëm me stadiumin e “Adem Jashari””, ka thënë Krasniqi, teksa ka vlerësuar ndryshimet e mëdha që po bëhen në infrastrukturën sportive gjithandej Kosovës.

E kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, falënderoi kryeministrin Thaçi dhe ministrin Krasniqi për përkrahjen dhe kontributin që po japin në ndihmë sportit dhe futbollit në veçanti. Ai konsideroi se me këtë mbështetje shtetërore edhe puna kryhet më lehtë dhe suksesi nuk do të mungojë. “Mendoj që krejt shteti po ngritët në këmbë dhe ne krerët e FFK-së do ta kemi më lehtë që të punojmë drejt arritjes së qëllimeve”, ka thënë Vokrri.

Përveç investimeve në stadiume, Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbështetur FFK-në edhe në aspekte të tjera, në veçanti për organizimin e ndeshjes kundër Haitit. Për këtë gjë, Qeveria para disa ditëve ka ndarë 75 mijë euro.

Prapa