“Albaniada”, promovim dhe kultivim i trashëgimisë kulturore me karakter garues

25.09.2013

Në fshatin Kukaj, afërsisht 30 km në Lindje të Prishtinës, gjatë dy ditëve të fundjavës u mbajt edicioni i dytë i lojërave tradicionale “Albaniada”, ngjarje në të cilën u shpalosën pjesë të etnosit, përmes lojërave, muzikës, humorit e valles. Pjesëmarrësit që garuan në 20 lojëra, krijuan situata argëtimi të cilat e bënë edhe më tërheqës këtë organizim që u vlerësua si pjesë e rëndësishme e promovimit dhe kultivimit të trashëgimisë sonë kulturore.

Në këto lojëra u fituan 60 medalje në disiplina të ndryshme, si: Kapuça, Kut e Kleçkë, Guxhas, top-n-kali, thyerje (rrëzim) e duarve, vrapim me thes, thyerje (rrëzim) e këmbëve, rrasash, marrja e shamisë,tërheqja e litarit, gurapesh me dy duar anash, gurapesh prapa, dhe gurapesh me një krah, etj.

Në hapjen e këtij edicioni ishte ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, që së bashku me organizatorin e kësaj ngjarjeje Ekrem Tahirin, bënë ndezjen e flakadanëve, duke shënuar fillimin e garave. Ministri Krasniqi vlerësoi se përmes ngjarjeve të këtilla kontribuojmë në mbrojtjen, ruajtjen dhe kultivimin e trashëgimisë sonë kulturore.

“Në edicionin e dytë të ‘Albaniadës’ jemi mbledhur për të promovuar pikërisht një nga ato elementet më të rëndësishme të trashëgimisë sonë, e që janë lojërat dhe sportet tona tradicionale. Nëse në edicionin e parë ‘Albaniada’ kishte në qendër të vet promovimin e kësaj pjese të rëndësishme të trashëgimisë tonë, më vjen shumë mirë që këtë vit, ka arritur që elementit të promovimit, të ia shtoj edhe atë të garimit, që gjithmonë kanë qenë pjesa më interesante e këtyre sporteve tradicionale shqiptare”, ka thënë Krasniqi në ceremoninë e hapjes.

Ai gjithashtu shprehu se ka qenë qëllim i MKRS-së se përmes aktiviteteve të natyrës siç është edhe ky aktivitet i trashëgimisë, që të bëhet zgjerimi dhe të ketë pjesëmarrje më të madhe dhe t’i tejkalojë edhe kufijtë gjeografik të Kosovës. “Është qëllimi dhe objektivi ynë që në vitet e ardhshme të Albaniadës të ketë edhe me shumë sporte dhe lojëra, pjesëmarrës dhe ekipe në mënyrë që sportet dhe lojërat tona tradicionale të përfaqësohen këtu edhe nga një numër më i madh i rajoneve të trojeve shqiptare, duke kaluar Kosovën, duke perfshirë edhe rajonet tjera kudo ku frymojnë dhe kanë frymuar për shekuj me radhë shqiptarët,” tha Ministri i Kulturës, Memli Krasniqi.

Ky aktivitet kulturo-sportiv dalëngadalë po e merr formën e vet dhe në këtë edicion është zgjeruar edhe përtej karakterit promovues të trashëgimisë kulturore ku është përfshirë edhe ai garues. Ndërkaq, organizatorët e aktivitetit tashmë tradicional “Albaniada”, në këtë edicion të dytë premtuan se në të ardhmen do të zgjerojnë ngjarjen me lojëra të tjera dhe në tërë hapësirën mbarëshqiptare.

Prapa