Pritje e lartë shtetërore për Majlinda Kelmendin, Nora Gjakovën dhe Driton Kukën

31.08.2013

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit organizon nesër pritje shtetërore për xhudistët Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe trajnerin e tyre Driton Kuka. Kelmendi fitoi medaljen e artë, si xhudiste e Republikës së Kosovës, në Kampionatin Botëror të Xhudos që u mbajt në Rio de Janeiro të Brazilit.

Gjakova ndërkaq u rëndit në pozitën e shtatë. Kjo është medalja e artë e para për shtetin e Kosovës në një kampionat zyrtar botëror dhe renditja e Gjakovës në pozitën e shtatë ka bërë që suksesi i Kosovës në këtë kampionat vetëm më dy garuese të jetë i madh.
Pritja do të fillojë që nga Aeroporti i Prishtinës, me mbërritjen e ekipit të Kosovës, i paraparë në orën 18:15.

Në orën 18:30 Ministri Krasniqi bashkë me ekipin fitues do të mbajnë një konferencë për shtyp në sallën e konferencave në ANP. Pas konferencës, ekipi fitues, në mënyrë të organizuar do të niset nga ANP për në sheshin \"Nëna Terezë\" në Prishtinë, ku Majlinda Kelmendi dhe të tjerët do t\'u drejtohen qytetarëve. Mbërritja në shesh pritet të bëhet rreth orës 19:00. Ndërsa, pas Prishtinës, ekipi do të vazhdoj për në qytetin e Pejës, ku edhe atje do të organizohet një pritje publike.

MKRS vlerëson se suksesi i xhudistëve tanë në kampionatin Botëror të Xhudos në Rio është një sukses i jashtëzakonshëm për Kosovën. Me këtë rast, ne edhe një herë ftojmë qytetarët që të jenë prezent të dielën nga ora 18:00 në sheshin ‘Nëna Terezë’ (afër Hotel Swiss Diamond) ku edhe do ta nderojmë ekipin që ngriti flamurin e Kosovës në Brazil.

Një pritje dinjitoze është edhe një mesazh më shumë për gjithë komunitetin sportiv ndërkombëtar për dëshirën dhe potencialin tonë të madh për të qenë të barabartë në garat ndërkombëtare në çdo sport. Ky mbetet një objektiv i yni i vazhdueshëm dhe i palëkundshëm.

Po ashtu, MKRS dëshiron të ripërsëris përkushtimin e lartë për të gjithë  sportistët e Kosovës dhe sportin tonë në përgjithësi, duke synuar gjithmonë bashkëpunimin dhe mbështetjen për përmirësimin e kushteve, për gara sa më cilësore dhe për prezantim sa më të mirë të sportistëve tanë.

Prapa