Ministri Krasniqi priti volejbollistin e mirënjohur Gazmend Husaj

06.08.2013

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim sportistin e mirënjohur kosovar Gazmend Husaj, i cili është volejbollisti i parë shqiptar që ka nënshkruar kontratë me një ekip të huaj në një prej ligave më të forta në botë në volejboll, atë të Italisë, për ekipin Copra Elior nga Piacenza.

Ministri Krasniqi e ka përgëzuar volejbollistin Husaj për sukseset e arritura në këtë sport, por edhe për sukseset e mëhershme duke qenë anëtar i kombëtares së Shqipërisë. Po ashtu Ministri ka cilësuar se shembulli i tij në angazhimin dhe motivimin që ka për punën sportive, duhet të ndiqet edhe nga volejbollistët tjerë e kësisoj të ngritën individualisht e profesionalisht në këtë sport, duke konsideruar gjithashtu se sukseset që arrijnë volejbollistët tanë në përgjithësi ndikon në përmirësimin e imazhit të vendit tonë në botë duke bërë kështu një hap më tutje drejt ndërkombëtarizimit edhe të këtij sporti.

Ndërsa volejbollisti, Gazmend Husaj, ka falënderuar ministrin për pritjen dhe ka shprehur mirënjohjen e tij për interesimin që ka shfaqur ministri për karrierën e tij dhe e ka përgëzuar për punën që ka bërë gjatë këtyre viteve drejt avancimit të sportit kosovar.

Gazmend Husaj, në qershor nga Qatar Sport Club kaloi në ekipin nënkampion italian Copra Elior nga Piacenza, në Serie A të Italisë e cila është ndër ligat më të forta në botë. Gjithashtu ka luajtur për ekipe të ndryshme të volejbollit të Kosovës, Shqipërisë, Zvicër e Bahrein. 

Prapa