Komuna e Prishtinës shpif dhe shkel ligjet e Republikë së Kosovës

01.08.2013

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) është befasuar me deklaratën e lëshuar nga  Komuna e Prishtinës në lidhje me punimet për konservimin dhe restaurimin e Çezmës së vjetër në sheshin “Ibrahim Rugova”.
Është për keqardhje që kjo deklaratë përmban shpifje dhe shtrembërim të fakteve në lidhje me vlerat e këtij monumenti të trashëgimisë kulturore, të gjetur gjatë punimeve të realizuar nga Komuna e Prishtinës në këtë shesh vitin e kaluar.

MKRS vlerëson se gjetja e Çezmës së vjetër disa shekuj do të duhej të shihej si një pasuri që e rrit vlerën e sheshit “Ibrahim Rugova” dhe jo si diçka që do duhej të mbulohej e të zhdukej, ashtu siç janë zhdukur edhe shumë gjurmë të tjera të qytetarisë së Prishtinës nga politika degraduese e sistemit të kaluar.

Punimet rreth konservimit dhe restaurimit të Çezmës janë nisur në pajtim të plotë me Komunën e Prishtinës, e cila është edhe financuese e projektit, i cili realizohet nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore e Prishtinës (QRTK Prishtinë).

Për këtë, Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa ka nënshkruar edhe Marrëveshje Mirëkuptimi me QRTK Prishtinë, me ç’rast Komuna e Prishtinës është zotuar që të financojë realizimin e projektit konservues-restaurues me 15 mijë euro. Andaj, është krejtësisht i pavërtete deklarimi i Komunës së Prishtinës së QRTK Prishtinë ka bërë dëmtimin e pllakave të sheshit “Ibrahim Rugova” apo se ne çfarëdo forme ka bërë shmangie nga projekti i miratuar.

Është e habitshme se si Komuna e Prishtinës në deklaratën e lëshuar sot i jep vetes edhe kompetencë për të vlerësuar se cilat janë vlerat e Çezmës, aq më shumë kur vlerësimin e ekspertëve të bërë që në kohën e gjetjes së Çezmës e ka pranuar si të plotë dhe në bazë të tij edhe ka marrë përsipër financimin e restaurimit dhe konservimit të Çezmës në fjalë. Është krejtësisht e pakuptimtë dhe skandaloze që sot në deklaratën e tyre, Komuna e Prishtinë e konteston profesionalizmin dhe ekspertizën e institucioneve më kompetente të Republikës së Kosovës në fushën e trashëgimisë kulturore!

Pas zbulimit të Çezmës gjatë punimeve në sheshin “Ibrahim Rugova”, ekspertët e QRTK Prishtinë dhe të Institutit Arkeologjik të Kosovës kanë bërë ekspertizën dhe vlerësimin e nevojshëm mes datave 27.04. 2012 – 30.04.2012, në pajtim me Nenin 3, pika 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe kanë konstatuar se Çezmja paraqet vlera të trashëgimisë kulturore.

Raportet nga kjo ekspertizë janë shqyrtuar nga ana e Komisionit për Shqyrtimin dhe Vlerësimin e Kërkesave-Projekteve Restauruese-Konservuese të Trashëgimisë Kulturore (Komisioni për Trashëgimi Kulturore), që është organi kompetent për vlerësime të kësaj natyre dhe ky Komision, më 06.06.2012 ka rekomanduar që Çezmja të konservohet dhe të ruhet ‘in situ’ - në vendin e gjetjes, përmes një projekti që do të realizohej nga QRTK Prishtinë. Pas përgatitjes së tij, Komisioni për Trashëgimi Kulturore ka miratuar projektin detaj dhe më datë 31.07.2012 ka dhënë pëlqimin për vazhdimin e punimeve . Këto rekomandime janë miratuar nga Ministri Memli Krasniqi dhe si të tilla janë pranuar edhe nga Komuna e Prishtinës, Kryetari i së cilës ka nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi për realizimin e projektit të miratuar.

Përkundër kësaj, Komuna e Prishtinës ka zvarritur në vazhdimësi realizimin e projektit, duke injoruar edhe shkresat e shumta të dërguara nga MKRS në adresë të saj. Po ashtu, Komuna e Prishtinës ka shkelur në mënyrë flagrante edhe Ligjin për Trashëgimi Kulturore, duke e mbuluar Çezmën dy herë në mënyrë klandestinë dhe krejtësisht joprofesionale, pa njoftuar asnjë institucion kompetent të trashëgimisë kulturore. Këto veprime kanë rezultuar edhe me dëmtime të mëdha të Çezmës, tashmë të vlerësuar zyrtarisht si aset i trashëgimisë kulturore i Republikës së Kosovës,  veçanërisht të pjesës së saj ballore.

Sa i përket kërcënimit të Komunës së Prishtinës se nuk do të lejoj vazhdimin e punimeve të cilat vet i ka miratuar, MKRS përkujton se në pajtim me Ligjin për Trashëgimi Kulturore, Komuna e Prishtinës është e obliguar që jo vetëm të lejoj punimet, por edhe t’i mbështes ato në të gjitha mënyrat e mundshme. Në të kundërtën, Komuna e Prishtinës do të bëjë shkelje të Ligjit për Trashëgimi Kulturore, veçanërisht Neni 4, pika 10 dhe rrezikon që ndaj saj të iniciohen procedurat përkatëse legale, sipas Nenit 11, pika 1 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore dhe sipas Kodit Penal të Kosovës, Neni 333, pika 3; Neni 363, pika 1 dhe pika 2 dhe Neni 364, pika1 dhe pika 2.

Në fakt, Komuna e Prishtinës në rastin e Çezmës ka bërë shkelje të vazhdueshme të dispozitave të lartpërmendura, por premtimet e tyre verbale kanë qenë se do të përmbushin obligimet e tyre ligjore, andaj edhe MKRS me durim ka pritur që kjo do të ndodh. Nëse tani Komuna e Prishtinës do të vazhdoj avazin e vjetër të dëmtimit të qëllimshëm të trashëgimisë kulturore dhe të mosrespektimit të obligimeve të tyre ligjore, atëherë MKRS do të ndërmarrë të gjithë hapat e duhur legal për të penguar një gjë të tillë.

MKRS shprehet fuqishëm kundër ofendimit publik që Komuna e Prishtinë i ka bërë edhe ekspertëve dhe profesionistëve të spikatur të fushës së trashëgimisë kulturore, duke i kontestuar vlerësimet e tyre në rastin e Çezmës. Vlerësimet rreth Çezmës janë bërë nga ekspertët e QRTK Prishtinë, Institutit Arkeologjik të Kosovës, ndërsa Komisioni për Trashëgimi Kulturore që ka dhënë vlerësimin final, përbëhet edhe nga udhëheqës të Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës, QRTK të rajoneve të tjera dhe zyrtarëve të MKRS-së.

MKRS falënderon të gjithë ekspertët e përfshirë në të gjitha fazat e vlerësimit dhe të punimeve për konservimin dhe restaurimin e Çezmës në sheshin “Ibrahim Rugova”, duke vlerësuar lart profesionalizmin e tyre dhe përkushtimin për të mbrojtur dhe promovuar trashëgiminë kulturore të Republikës së Kosovës.

Marrëveshje e lidhur në mes të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe Komunës së Prishtinës


Angazhimet e Komunës së Prishtinës

Vëzhgim & Inçizim Arkeologjik

Raport Preliminar lidhur me zbulimet në Prishtinë, në sheshin Ibrahim Rugova 

Raport i IAK-së II


Listë Distribuimi

Raporti IAK2

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve

Arsyetim

Rekomandim 1


Rekomandim 2

Prapa