Kori i Filharmonisë së Kosovës hapi vitin me një koncert të veçantë në Prizren

Nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla, programi filloi me veprën \"Salve Regina\" të kompozitorit Kushtrim Gashi, për të vazhduar me veprën \"Çu mbush mali\" nga Vasil Sofokli Tole. Ansambli harkor i Filharmonisë iu bashkua Korit për interpretimin e veprave nga Hajrullah Syla dhe Jake Runestad.
Mbrëmja kulmoi me interpretimin e \"Cloudburst\" nga Eric Whitacre dhe veprës \"In A\" të kompozitorit Rafet Rudi me solistet Shkurta Hykaj Rexhepi dhe Kaltrina Miftari.
Koncerti i ardhshëm i Filharmonisë së Kosovës do të mbahet më 31 janar 2025, në orën 19:30, në Atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë. Nën drejtimin e mjeshtrit Dario Salvi, Orkestra e Filharmonisë do të paraqitet me flautistin eminent italian ANDREA GRIMINELLI dhe flautisten e mirënjohur kosovare Venera Mehmetagaj - Kajtazi.