60 vjetori i AKKV “Shota”
Mbrëmë, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota” shënoi 60-vjetorin e themelimit si ansambël profesionist, një rrugëtim i jashtëzakonshëm artistik që ka promovuar dhe vazhdoj të promovoj traditën dhe kulturën tonë.
Programi festiv përfshiu interpretime emocionuese të këngëve dhe valleve më të njohura shqipe si dhe performanca të paharrueshme nga artistët tanë të shquar. Ansambli Shtetëror nga Shqipëria dhe shumë të ftuar të tjerë e pasuruan këtë ngjarje, duke sjellë një atmosferë të jashtëzakonshme.
Në këtë mbrëmje, u ndanë mirënjohje të veçanta për të gjithë ata që kanë dhënë kontributin e tyre të çmuar në historinë e “Shotës” – nga artistët e parë që hodhën themelet, si Hylkie Sadiku, Marcel Tupeci dhe Ramadan Ramadani, deri te drejtuesit dhe bashkëpunëtorët që e ngritën këtë ansambël në një institucion të rëndësishëm kombëtar.
60 vjet histori, mbi 7,500 koncerte dhe një mori çmimesh ndërkombëtare dëshmojnë përkushtimin dhe dashurinë që “Shota” ka për kulturën dhe trashëgiminë tonë kombëtare. Kjo ngjarje ishte një shprehje falënderimi për gjithë ata që e kanë ruajtur dhe përçuar këtë thesar të çmuar ndër breza.
Në këtë ceremoni morën pjesë Kryeministri Albin Kurti, Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe shumë figura të rëndësishme të jetës kulturore të vendit tonë.
Urime Ansamblit “Shota” dhe suksese të reja në të ardhmen.