Rikthehet opera “Goca e Kaçanikut”
“Goca e Kaçanikut” rikthehet në Tiranë dhe shkruan historinë pas 45 vitesh nga premiera e saj në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor!
Një vepër unike me një histori të papërsëritshme, që drithëroi çdo të pranishëm në sallë dhe ringjalli emocionet e një epoke artistike të paharrueshme.
Ky rikthim madhështor erdhi si një dhuratë artistike nga Opera e Kosovës, në kuadër të Javëve Kulturore Ndërkombëtare, duke dëshmuar fuqinë e bashkimit kulturor dhe artistik mes shqiptarëve.
E kompozuar nga maestro i mirënjohur Rauf Dhomi, si opera e parë e Kosovës, kjo vepër u soll në skenë nga solistët, kori, orkestra dhe trupa e baletit të Kosovës, me regjinë e mjeshtrit të madh Nikolin Gurakuqi dhe nën dirigjimin e maestro Edon Ramadani.