Miratohet rregullorja që do të nxisë krijimtarinë filmike
Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë së Kosovës është miratuar rregullorja për të drejtën në rabat, instrument që synon të tërheqë investime të huaja në Kosovë.
Kompanitë e huaja filmike do të kenë mundësinë që të xhirojnë projektet e tyre filmike në territorin e Kosovës, për të cilin investim do të rimbursohen 30% të shpenzimeve të pranueshme që i kanë harxhuar në bizneset, shërbimet, e burimet njerëzore vendore. I njëjti instrument aplikohet edhe për kompanitë që zhvillojnë video-lojëra.
Miratimi i kësaj rregulloreje padyshim që do të nisë një etapë të re të industrisë sonë të kinematografisë. Kosova do të bëhet destinacion kryesor për prodhimtari filmike në rajon, duke qenë se talenti dhe përvoja e dëshmuar veçse është prezente dhe e gatshme për të ngritur industrinë tonë në nivele ende më të larta.
Incentiva të tilla ekonomike që nxisin qarkullim serioz në ekonominë kreative të vendit, janë metoda të domosdoshme të mbështetjes së sektorit kreativ.
Urime gjithë komunitetit të kineastëve dhe ju priftë e mbara në bashkëpunimet që do të vijojnë.