Definimi i së ardhmes: Takimi i dytë për vizionimin e ndërtesës së ish-Gjykatës në Vushtrri

16.08.2024

Sot, në ambientet e Muzeut Historik Etnologjik të Vushtrrisë, u zhvillua takimi i dytë i Grupit Punues për vizionimin e ndërtesës së ish-Gjykatës, një hapësirë që dikur mbante historinë e drejtësisë, e tani pret të rishkruajë një kapitull të ri. Përfaqësuesit e UN-Habitat Kosova ndanë të gjeturat fillestare, frymëzuar nga zëri i qytetarëve përmes pyetësorëve online dhe bisedave me zyrtarë, përfaqësues të shoqërisë civile, studentë e ish-punonjës të kësaj ndërtese.

Diskutimet hapën rrugë për vazhdimësinë e punëve për t'i dhënë kësaj ndërtese një vizion të ri dhe të drejtë.

Në takim morën pjesë përfaqësues nga Ministria e Kulturës, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore - Mitrovicë, Komuna e Vushtrrisë, Arkivi i Komunës së Vushtrrisë, UN-Habitat Kosova dhe shoqëria civile, të gjithë të bashkuar për t'i dhënë jetë një projekti që kapërcen të shkuarën dhe ndërton të ardhmen.

Projekti udhëhiqet nga Ministria e Kulturës në partneritet me Komunën e Vushtrrisë dhe UN-Habitat Kosova.

Prapa