Shënohet 146-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

10.06.2024

Lidhja Shqiptare e Prizrenit ndër dekada ka frymëzuar përpjekjet e popullit shqiptar për pavarësi dhe shtetformim. E ky kompleks ishte vendtakim i shumë personaliteteve nga Kosova, Shqipëria dhe Lugina e Preshevës me rastin e 146-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti ishin pjesë e shënimit të kësaj date, që u shënua në kuadër të agjendës shtetërore për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Në fjalimet e tyre para shumë të pranishmëve, ata theksuan se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qenë gurthemel i përpjekjeve tona për pavarësi, që u kurorëzua me shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe më vonë me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës.

Të pranishëm në këtë ngjarje ishin edhe zëvendëskryeministrat Bisnik Bislimi, Donika Gërvalla, Emilija Rexhepi, ministrat Xhelal Sveçla, Ejup Maqedonci, Arbërie Nagavci, sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Xheladin Krasniqi, zëvendësministra, deputetë, drejtues tjerë të institucioneve lokale në Prizren dhe udhëheqës të Preshevës e Bujanocit, Ardita Sinani dhe Nagip Arifi.

Në këtë aktivitet u prezantuan 13 veshje popullore të regjioneve të ndryshme shqiptare, të prezantuara nga valltarët e Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi”, organizuar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren.

Prapa