Dy akademitë shqiptare organizojnë konferencë për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës

10.06.2024

Në kuadër të aktiviteteve për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, sot në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës është mbajtur konferenca shkencore “25-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës: një çerek shekull shtetndërtim, arritje dhe sfida - qasje multidisiplinare”.

Me pjesëmarrjen e anëtarëve të dy akademive të shkencave, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë, u kujtua e kaluara rreth përpjekjeve heroike të popullit të Kosovës për rezistencë, çlirim deri në pavarësinë e Kosovës, duke identifikuar edhe sfidat me të cilat mund të përballet vendi ynë në të ardhmen.

I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe kryeministri Albin Kurti, i cili në fjalën e tij përmendi se nga lufta në Kosovë u vranë mijëra njerëz, u shkatërruan mijëra shtëpi si dhe shumë qytetarë u bënë refugjatë, gjithashtu theksoi se përgjatë këtyre 25 viteve janë bërë përkujtime për dëshmorë, por që tash është koha që për historinë dhe trashëgiminë e Kosovës të bëhen hulumtime shkencore.

Ndërkaq kryetari i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja dhe kryetari Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, kanë bërë një përkufizim rreth kësaj ngjarje historike.

Fjalë rasti në këtë konferencë kanë mbajtur edhe ish presidentët Fatmir Sejdiu dhe Alfred Moisiu.

Konferenca është mbajtur në organizimin e dy akademive, AShAK-ut dhe AShSh-it.

Prapa