KONKURS PËR PROJEKTIMIN IDEOR TË RUAJTJES DHE RESTAURIMIT TË SHTËPISË SË KULTURËS NË RUNIK!

17.05.2024

E pozicionuar në një lokalitet neolitik, Shtëpia e Kulturës në Runik është dëshmi e prekshme e kujtesës kolektive, e cila ka shërbyer si vendtakim dhe hapësirë për shprehje kulturore, artistike dhe edukative për gjenerata në periudha të ndryshme sociale dhe politike. Restaurimi i saj nënkupton në radhë të parë ruajtjen e kësaj hallke identitare e cila vazhdon ta frymëzojë ri-interpretimin e saj të tanishëm.

Transformimi dhe adaptimi i këtij simboli të rëndësishëm historik në një qendër bashkëkohore kulturore për komunitetin lokal të Runikut synon të vë në pah potencialin e këtij objekti për ta pasqyruar thelbin e historisë së pasur kolektive të kësaj zone. Duke kombinuar kërkesat dhe nevojat e identifikuara gjatë takimeve me anëtarët e komunitetit, ShKR parashikohet të rikthehet në një qendër që do të ofrojë ndërveprim social dhe kulturor përmes ri-imagjinimit arkitekturor të hapësirave të ShKR të cilat mbartin rëndësi historike dhe komunitare.

Nisur nga motivi për t’i shërbyer Runikut dhe banorëve të tij, Shtëpia e Kulturës synon të jetë një vend aktiv me hapësira të përshtatshme për ngjarje kulturore, artistike dhe edukative, ku trashëgimia neolitike ruhet dhe prezantohet, dhe ku rrëfimet kolektive ngjallen përmes një programi dinamik të angazhimeve specifike me vendin dhe komunitetin.

Për të aplikuar për hartimin e projektit ideor për Shtëpinë e Kulturës Runik, aplikantët duhet të kërkojnë dosjen e konkursit nëpërmjet adresës [email protected] dhe ta dërgojnë dokumentacionin e plotë në formë digjitale në të njëjtën adresë, para skadimit të dy muajve kalendarik nga data e publikimit të konkursit (17 maj - 17 korrik, 2024).

Detyra projektuese dhe dokumentacioni i kompletuar duhet të dorëzohet në formë digjitale, përmes e-mail adresës [email protected] me subjekt: “DIZAJNI KONCEPTUAL / PROJEKTI IDEOR: Shtëpia e Kulturës Runik”. Kriteret e kualifikimit profesional për pjesëmarrësit përfshijnë arkitektë udhëheqës, arkitekt konzervues me përvojë në trashëgimi kulturore, urbanistë, kuratorë/muzeolog, si dhe inxhinierë të ndërtimtarisë dhe mekanikës, elektrikës, ujësjellësit dhe kanalizimit. Ekspertiza e stafit duhet dokumentuar me CV dhe referenca, së bashku me dorëzimin e portfolios të projekteve të studios projektuese. Pyetje shtesë rreth konkursit mund të drejtohen në të njëjtin email adresë deri në 20 ditë pas publikimit të konkursit.

Të gjitha projektet në konkurs do të vlerësohen nga një juri profesionale, e cila fillon me një vlerësim preliminar, ku analizon kritere të përshtatshmërisë dhe filtron projektet që nuk përmbushin kushtet minimale të konkursit. Pastaj, juria do vlerësojë projektet bazuar në kërkesat teknike dhe estetike, duke aplikuar kriteret dhe sistemin e pikëve. Si pjesë e këtij procesi do të shpallen dy fitues, të cilët do të marrin çmimet përkatëse: 5,000 euro për çmimin e parë dhe 2,500 euro për çmimin e dytë. Ekipi i përzgjedhur do të bashkëpunojë me Fondacionin Hajde për restaurimin e ShKR.

Kriteret e aplikimit dhe dokumentacionin e nevojshëm rreth konkursit i gjeni këtu: https://shorturl.at/Bx0De

Për çdo informatë shtesë na shkruani në: [email protected].

Prapa